Lista Srpska, subjekti më i madh politik serb në Kosovë, e cila ka 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës, nuk dëshiron të shkojë në opozitë edhe nëse mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk përfill kërkesat e kësaj Liste si kusht për të qenë pjesë e Qeverisë, shkruan sot, gazeta Zeri.
Gazeta “Blic” e Beogradit ka shkruar, ndërsa përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, për atë se çfarë mund të kërkojë Lista Serbe nga Haradinaj dhe çfarë do të thoshte shkuarja e saj në opozitë. Sipas kësaj gazete, do të jetë shumë më mirë që Lista Serbe të jetë pjesë e Qeverisë së Ramush Haradinajt, edhe nëse nuk plotësohen të gjitha kërkesat, sesa shkuarja e saj në opozitë.
“Pjesëmarrja e Listës Serbe në Qeverinë e re të Kosovës do të mundësonte që në mënyrë institucionale dhe që me më shumë sukses të luftojë për interesat e veta, edhe nëse ata, përfaqësuesit e kësaj liste, të etiketoheshin si ‘serbët e Haradinajt’. Mosmbështetja e të ashtuquajturit ‘Koalicion i luftës’ do t’i shtynte përfaqësuesit serbë në opozitë, e që do të bënte që të vazhdojë margjinalizimi i popullit serb”, vlerëson gazeta.
Megjithatë, sipas “Blic”, mbështetja e Listës Serbe dhënë koalicionit “të luftës”, kandidati i të cilit për kryeministër të Kosovës është Ramush Haradinaj, do të varet nga ajo se sa koalicioni do të jetë në gjendje ta krijojë shumicën në Kuvendin e Kosovës, e që aktualisht u mungon vetëm një deputet për ta fituar shumicën e thjeshtë prej 61 deputetëve.