Jugu i vendit paraqitet më problematik përsa i përket situatës me zjarret. Flakët po kërcënojnë shtëpitë në fshatin Grapsh në Dropull ku është djegur një banesë, ndërkohë që disa të tjerave zjarri i ka përfshirë edhe oborret. Flakët që s’janë ndalur gjatë gjithë natës kanë përfshirë zonat e Goricës, Frashtanit, Lugarit, Grapshit dhe Zervatit dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në toka bujqësore, kullota dhe pemë. Gjithashtu, në rrezik janë edhe objektet e kultit. Ndërhyrja nuk ka munguar as nga ajri në ndihmë të së cilës, mëngjesin e së premtes me vendim të qeverisë greke janë nisur nga Selaniku dy avionë të tjerë. Brenda 24 orëve të fundit Emergjencat Civile raportojnë se janë shënuar 19 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër. Tetë 8 vatra zjarri më shumë se një ditë më parë. Dibra vijon të jetë qarku me vatrat më të shumta të zjarreve ku më problematike situata vijon të mbetet në fshatin Madhesh dhe Troll. Në terren janë forca të bashkisë, forca ushtarake dhe forca vullnetare, por nuk kanë mundur të izolojnë vatrën për shkak të terrenit të thepisur. Zjarri ka një perimetër rreth 10 km dhe po vazhdon të përhapet deri në Qafë Shtamë. Zjarri mund të shuhet vetëm me ndërhyrje nga ajri.