AAK-ja ka kandiduar Arbër Vllahiun për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet që do të mbahen më 22 tetor, raporton Koha.net.
Ish-këshilltari i ish-presidentes Atifete Jahjaga, është prezantuar si kandidat për Prishtinën në konferencën për media që AAK-ja e ka mbajtur sot nga ora 11:00.
AAK-ja në zgjedhjet e kaluara komunale dy herë garoi në Prishtinë me Besnik Tahirin.
Kandidaturën për Prishtinë deri më tani e ka konfirmuar Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetja e LDK-së, Hikmete Bajrami të premten në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se kanë kandidat të fortë për t’iu kundërpërgjigjur Ahmetit, derisa ka shtuar se zgjedhjet e 11 qershorit kanë përcaktuar kandidatët potencialë për këtë garë.
Nga radhët e PDK-së jo zyrtarisht është thënë se do të kandidojë Lirak Çelaj.
Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë është në koalicion me AAK-në, e cila me Gent Begollin udhëheq me Drejtorinë e shërbimeve publike.