Shqiptarë të Maqedonisë mos u ankohi! “Gardiani i juaj” po thotë se MO u zbatua me sukses!

Koment nga Sakte.net

Në analizën e vitit të kaluar të cilën e ka bërë vetë Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, u theksuan disa nga aspektet ku kjo marrëveshje ka stagnuar në tërësi, siç janë: Moszbatimi i plotë i gjuhës shqipe në institucione; mosarritja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucione, mosarritja e decentralizimit fiskal, shpërndarje jotransparente e fondeve për njësitë e vetëqeverisjes lokale por edhe stagnime të tjera.

Në ndërkohë, ngecja, për të mos thënë dështimi i zbatimit të saj sidomos kur në pyetje janë interesat kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë thuajse temë e çdo ditshme dhe e përfolur nga ekspertë të ndryshëm të cilët kanë shprehur shqetësimin për regresin që ka shënuar Maqedonia që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.

Megjithatë, me gjasë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk ia ka haberin kur flitet për implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kjo së paku lihet të kuptohet nga përgjigjet e tij dhënë një mediumi së fundmi.

Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit u realizua me sukses dhe se kjo ka reflektuar në të gjithë rajonin!


“Marrëveshja e Ohrit ishte rezultat i angazhimit për barazi dhe për drejtësi. Ishte rezultat i dialogut dhe aspiratës së të gjithëve për stabilitet afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Implementimi i marrëveshjes forcon themelet e shtetit të Maqedonisë dhe kontribuon në forcimin e kohezionit social dhe etnik në Maqedoni. Por, zhvillimet pozitive në Maqedoni kanë ndikim në tërë rajonin. Marrëveshja e Ohrit, fryma që promovon ajo dhe sukseset në implementimin e saj reflektojnë pozitivisht në tërë rajonin tonë dhe më gjerë”, ka deklaruar Hashim Thaçi, i cili në kohën kur ishte kryeministër u ballafaqua me bllokadën totale dhe mbylljen e kufirit për produktet e Kosovës nga ana e qeverisë së Nikolla Gruevskit në shenjë revolte ndaj masave të reciprocitetit.
Ky është konstatimi i “gardianit” të vetshpallur të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjatë festimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Hashim Thaçi fliste për Shkupin si kryeqytet të Vilajetit të Kosovës dhe për Kosovën si gardiane e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të zgjedhjeve të kaluara pati dekoruar mbi 100 personalitete shqiptare të fushave të ndryshme nga Maqedonia, mes të cilëve edhe Musa Xhaferrin, Ali Ahmetin e Menduh Thaçin.

Marrëveshjes kornizë të Ohrit i paraprinë bisedimet për paqe të cilat nën patronazh ndërkombëtar filluan në Shkup, e më pas vazhduan në Ohër. Më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale në Vodno në Shkup, marrëveshjen e nënshkruan presidenti i atëhershëm i Maqedonisë Boris Trajkovski, ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së Lupço Georgievski, kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski ai i PPD-së Imer Imeri dhe i PDSH-së Arben Xhaferi.

Edhe pse ishte paraparë që marrëveshja të realizohej që në vitin 2005, edhe 16 vite nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje mund të thuhet se kjo marrëveshje ende nuk është zbatuar në tërësi, pasi partitë politike kërkuan implementimin e plotë të saj edhe në marrëveshjen e fundit në Përzhino./Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme