Koalicioni LAA ka bërë me dije se të mërkurën, me fillim nga ora 11:00, do të organizojë një tryezë diskutimi në sallën N-409 (Salla Alternative) në Kuvendin e Kosovës ku temë kyçe do të jetë bllokada drejt formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
Në ftesën që ky koalicion, i përbërë nga LDK, AKR dhe Alternativa, ua ka dërguar mediave, dhe është nënshkruar nga Shefi i Grupit Parlamentar të LAA-së, Avdullah Hoti, thuhet se qëllimi i tryezës është diskutimi dhe propozimi i modaliteteve për gjetjen e zgjidhjes në të cilën është futur Kuvendi i Kosovës që nga certifikim i rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme.
LAA thotë se zgjedhjet e parakohshme të datës 11 qershor 2017 kanë prodhuar një rezultat zgjedhor, i cili është certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më datë 08 korrik 2017.
“Me një vonesë të konsiderueshme, Presidenti i Republikës së Kosovës , në bazë të kompetencave kushtetuese, ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës më datë 3 gusht 2017. Nga ajo datë e deri më tani, janë mbajtur edhe 4 vazhdime të seancës konstituive, në të cilat koalicioni PAN që ka dalë i pari sipas numrit të votave, nuk ka marrë pjesë në seancë. Duke qenë se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 vetëm ky koalicion ka të drejtë të propozimit të kandidatit për Kryetar të Kuvendit, ka qenë e pamundur të konstituohet Kuvendi i Kosovës në mungesë të propozimit që duhet të vijë nga koalicioni PAN”, thuhet në hyrjen e ftesës së LAA-së, raporton Koha.net.
Ndërkaq, bie në sy se ftesa u është dërguar vetëm deputetëve të koalicionit LAA, të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve të pakicave, por jo edhe atyre të koalicionit PAN.
“Në tryezë janë të ftuar deputetët e koalicionit LAA, të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të minoriteteve, si dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese nga shoqëria civile dhe nga fusha akademike. Në tryezë janë ftuar edhe përfaqësues të mediave”, thuhet mes tjerash në ftesën e LAA-së.
LAA thotë se qëllimi i tryezës është diskutimi dhe propozimi i modaliteteve për gjetjen e zgjidhjes në të cilën është futur Kuvendi i Kosovës që nga certifikim i rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme.
Lajmin për KTV e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku. “Janë të ftuar të gjitha partitë politike, përveç PAN-it, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e mediave”, ka thënë Abdixhiku për KTV.
Takimi i LAA-së do të nis vetëm një orë pas atij konsultues të thirrur nga kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci.
Ideja e këtij takimi është propozuar dje nga Avdullah Hoti, ku është thënë se në këtë takim do të provohet të gjendet një zgjidhje për situatën e krijuar pas bojkotit nga ana e PAN-it.
Hoti ka propozuar që të shikohet mundësia që Gjykatës Kushtetuese t’i drejtohen dy pyetje, ajo se nëse konsumohet e drejta e PAN-it për propozim të kryeparlamentarit meqenëse nuk po e ushtron këtë të drejtë dhe se, çka ndodh kur nuk zgjidhet herën e parë kryetari i Kuvendit që do të propozohej në këtë rast nga koalicioni fitues.