Mimoza Kusari- Lila ka vendosur të garojë për postin e kryetares së komunës së Gjakovës nën siglën e subjektit të saj politik, Alternativa, të cilin ajo e ka themeluar bashkë me Ilir Dedën.
Lajmin për kandidimin e saj e ka konfirmuar vetë Kusari-Lila për KALLXO.com.
“Përkundër shumë vështirësive të trashëguara nga qeverisjet e shkuara dhe shumë arritjeve të mëdha në qeverisjen aktuale dhe sukseseve për realizimin të projekte strategjike për Komunën e Gjakovës gjatë qeverisjes tonë, vendosa që është e domosdoshme vazhdimësia për realizim të suksesshëm të projekteve kapitale në vlerë 42 milionë Euro, projekte këto që nuk janë investuar në Gjakovë për katër dekada më parë”, tha Kusari- Lila në një deklaratë për KALLXO.com.
Ajo javë më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetares së Gjakovës, të cilën e mbante që nga zgjedhjet e vitit 2013, meqë u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës nga koalicion i Alternativës me LDK-në e AKR-në.
Deri më tani, në garën për kreun e komunës së Gjakovës janë zyrtarizuar Ardian Gjini i AAK-së dhe Driton Çaushi i Vetëvendosjes.