Ministri serb i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Branko Ruzhiq, ka thënë se dialogu i brendshëm, i iniciuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, po shkon në drejtim të zgjidhjes së “nyjës gordiane” , por pa njohjen e Kosovës.
Ministri serb ka thënë për gazetën serbe “politika” se përmes dialogut duhet të shihen realisht indikatorët e gjendjes në Kosovë dhe mundësitë që, përmes zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, të respektohen interesat e serbëve në Kosovë, të ruhet trashëgimia kulturore serbe dhe të aplikohet eksteritoriariteti funksional për manastiret dhe kishat serbe, siç parashihet me Planin e Ahtisaarit, transmeton Telegrafi.
“Sigurisht se krejt kjo do të bëhej, pa njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha ai, duke vlerësuar se ftesa e presidentit Vuçiq për dialog të brendshëm, është një vendim i mençur dhe i guximshëm.
“Konflikti i ngrirë nuk është zgjidhje për Kosovën”, tha ai. /Telegrafi/