Ardian Gjini në garë përballë “haxhi pishmanes” dhe “gjumashit” (FOTO)
Me përcaktimin e kandidatëve që do të garojnë për komunën e Gjakovës, gara në Gjakovë ka filluar të merr trajtë.
Rikthimin e saj e ka paralajmëruar edhe kryetarja e dorëhequr e kësaj komune, Mimoza Kusari – Lila, e cila në vazhdimësi “reflekton”, e ato reflektime herë i thonë të tërhiqet sepse u ndëshkua me votë, e herë i thonë të vazhdojnë tutje, varësisht se cila ditë e javës i ka qëlluar.
Njëra prej komunave më të neglizhuara nga Qeverisja qendrore e cila njihet edhe si një prej komunave më të dëmtuara gjatë luftës, dhe prin me numrin e të rinjve që e braktisin, do të ketë disa opsione për të votuar.
Rikthimin në këtë Komunë me padurim e pret AAK – ja, e cila për vite me radhë e konsideronte si bastion të saj, deri në momentin kur gjakovarët u lodhën nga qeverisja e Pal Lekajt, i cili qeverisi për dy mandate dhe e humbi betejën në garë për mandatin e tretë. Kësaj radhe, kjo parti ka zgjedhur ta vë në krye të garës Ardian Gjinin. Që moti Gjini aktivitetin e tij polittik kryesisht e ka koncentruar vetëm në Gjakovë. Ai shihet vazhdimisht në takime me grupe të ndryshme qytetarësh. Po ashtu, është aktiv në rrjetet sociale duke ofruar zgjidhje konkrete se si një qeverisje lokale eventualisht e udhëhequr nga vetë ai do të ofronte zgjidhje për probleme të caktuara të Gjakovës.
Derisa Gjini i AAK – së është aktiv, kandidati tjetër i përfolur si një kandidat serioz, ka rënë në letargji. Ndonëse vapa ka molisur banorët e Kosovës, Driton Çaushi ka zgjedhur “gjumin dimëror”. Depueti i Vetëvendosjes, njëkohësisht edhe kandidat i këtij subjekti politik për Gjakovë, deri më tani nuk ka ofruar publikisht asnjë ide se si mendon ta zhvillojë qytetin e tij të lindjes. Pos paraalajmërimit se do të jetë kandidat për këtë komunë, aktivitetet e këtij kandidati, për dallim nga kundërkandidatët e tjerë janë të zbehta dhe pothuajse të padukshme. Mbase, ai shpreson se vetvetiu populli do ta kuptojë se ka ardhur “koha e Vetëvendosjes”! Apo, mbase dikush duhet t’i thotë “zgjohu”!
Nga PDK emri më i përfolur ka qenë ai i kryetarit të degës së kësaj partie, Hajdar Beqa. I njëjti ishte kandidat edhe në zgjedhjet e kaluara por nuk tregoi ndonjë sukses të madh, pos që iu bashkëngjit në Qeverisje Mimoza Kusari – Lilës me të cilën u ndanë keq në fund, duke e quajtur edhe “prostitutë politike”.
LDK ka shpallur thuajse të gjitha kandidaturat për komunat e tjera, mirëpo ende është e pavendosur me Komunën e Prishtinës dhe atë të Gjakovës. Kryetari i degës së LDK – së në Gjakovë, Luan Gola, mund të jetë sërisht kandidat i kësaj partie për këtë komunë.
Nga AKR ëshrë paralajmëruar kandidimi i mundshëm i krahut të djathtë të Behgjet Pacollit, Valon Lluka./Sakte.net