Një biznesmen ferizajas, Ismet Kamenica, është rrahur nga një person që ka rezultuar të jetë daja i kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa.
Biznesmeni Kamenica, i cili është ndërtues i objekteve të larta në Ferizaj, në një intervistë për një televizion lokal, ka akuzuar direkt kryetarin Sfarqa si porositës të kësaj rrahje.
Ai madje ka akuzuar të parin e Ferizajt, se përmes dajës së tij i ka kërkuar para për lejen e ndërtimit.
Ndërsa, sot ka reaguar krytari Sfarqa duke mohuar të ketë gisht në këtë rrahje.
Sfarqa, ka thënë se duhet drejtësia të sqarojë këtë situatë. Ka paralajmëruar edhe padi për shpifje.
“Së pari, unë nuk mbaj përgjegjësi ndaj sjelljes së dajëve të mi, as të asnjë personi mbi moshën 18 – vjeç, por betohem në vlerat më të larta që i çmoj, se nuk kam asnjë lidhje me çështjet që i përmend Ismet Kamenica në intervistën e transmetuar në TV TEMA”, ka thënë Sfarqa ndër të tjera në reagimin e tij ndaj deklaratave të biznesmenit Kamenica.