Ashtu siç u paralajmërua nga Qeveria e Maqedonisë dhe nga Komuna e Tetovës, sot ka filluar dislokimi i deponisë së egër në hyrje të qytetit të Tetovës.
Teuta Arifi në Facebook për këtë aksion ka shkruar ‘‘Ashtu si që edhe ishte planifikuar, pas ndarjes së 12.000.000 denarëve nga rebalansi i buxhetit qeveritar dhe pas mbarimit të procedurave të prokurimit për përzgjedhjen e firmës për kryerjen e punëve, sot filloi pastrimi përfundimtar i deponisë së qytetit.
Mbeturinat komunale do të transferohen në deponitë rajonale, dhe në bazë të vlerësimeve bëhet fjalë për 30.000 deri 40.000 m3 mbeturina komunale dhe inerte. Procesi i pastrimit të tërësishëm të këtij lokaliteti si dhe rafinimi me truall të mirë dhe kualitativ pritet të mbarojë në afatin kohor prej 3 deri 4 javë.
Komuna e Tetovës më 30 qershor të këtij viti u drejtua deri te Qeveria e RM-së për të siguruar mjete buxhetore për pastrimin e këtij lokaliteti. Pas miratimit dhe ndarjes së mjeteve, komuna funksionalizoi edhe pikën e mbyllur me kontejnerë për transportin e mbeturinave komunale, me qëllim që të ofrohet zgjidhje e qëndrueshme për trajtimin e mbeturinave, dhe për të siguruar që mbeturinat përfundimisht të mos transportohen më në deponinë e qytetit pas fillimit të pastrimit përfundimtar të saj, që filloi sot.” përfundon Arifi.
Kujtojmë, se e njejta deponi u ndez gjatë ditë së shtunë dhe kjo solli pasoja katastrofale ku tymi mbuloi qytetin dhe vendbanimet përreth.