Vetëm edhe një ditë partitë politike kanë afat për emrat e kandidatëve për kryetarë komunash, por ende nuk i kanë zyrtarizuar komplet emrat që do të garojnë në zgjedhjet e 22 tetorit.
Ajo që dihet është se përpos disa partive minoritare, asnjë nga partitë tjera nuk do të garojë si koalicion, ndryshe nga zgjedhjet e 11 qershorit, raporton KTV.
Për Imer Mushkolajn, PDK-ja duket t’i ketë punët më së keqi në këtë situatë për shkak të pakënaqësive në parti, prandaj ende nuk ka dalë me emrat e të gjithë kandidatëve.
Ai pret edhe koalicionet më të panatyrshme pas zgjedhjeve në komuna, meqë thotë se pavarësisht deklarimeve, secila parti synon të marrë pjesën e vet të pushtetit nëpër komuna, e kjo, sipas tij, është dëshmuar shumë herë deri tash.
Artan Murati nga KDI-ja, thotë se megjithëse PDK-ja e Nisma kanë të njëjtat bastione, ata do të mundohen të kenë kujdes në gjuhën e përdorur, meqë kjo mund t’u ndikojë në nivelin qendror.
Fushatë më të egër të PAN-it ai pret ndaj LDK-së e Vetëvendosjes.
Të martën në orën 24:00 do të përmbyllet afati zyrtar i përcaktuar nga KQZ-ja për certifikimin e emrave të kandidatëve për kryetarë, e atyre për asamble komunale.