Fatmir Matoshi, kryetar i Kuvendit të AKR-së, ka thënë se LDK-ja e ka shkelur marrëveshjen që kanë lidhur së bashku para zgjedhjeve të 11 qershorit.
Në Interaktiv të KTV-së ai ka numëruar së paku tri pika ku ata besojnë se LDK-ja ka vepruar njëanshëm e duke shkelur kësisoj marrëveshjen e shkruar mes dy partive.
“Edhe në mbledhjen e Kuvendit të AKR-së janë numëruar disa nga shkeljet që ka bërë LDK-ja karshi AKR-së. Së pari, e kemi parë zotin Abdullah Hoti të jetë paraqitur si shef i Grupit Parlamentar të LAA-së dhe askush në AKR nuk është pyetur e as nuk është konsultuar për këtë vendim”, ka thënë ai, përcjell Koha.net. “Së dyti, LDK-ja dhe AKR-ja e kanë nënshkruar një marrëveshje në të cilën thuhet se të dy partitë do të bashkëpunojnë ngushtë në zgjedhjet lokale. Ne po shohim se LDK-ja njëanshëm ka nominuar kandidatët për kryetar të komunave pa folur nëse do të shkojmë si koalicion në këtë zgjedhje”, ka thënë ai më tej.
Vërejtja e tretë, sipas Matoshit është ajo e propozimit të mundshëm të LAA-së për nënkryetar të Kuvendit.
“Kemi parë një vendim të tretë që Kujtim Shala të jetë nënkryetar i Kuvendit, prapë pa u konsultuar fare me AKR-në”, ka thënë Matoshi.
“Kjo e ka bërë qëndrimin e AKR-së në këtë koalicion si të pa qëndrueshëm dhe të panevojshëm”, ka thënë më tej Matoshi, duke shtuar se megjithatë ky nuk ka qenë thelbi kryesor i asaj që Kuvendi i AKR-së ka bërë thirrje presidentit të partisë, Behgjet Pacolli, që të gjejë zgjidhje edhe jashtë LAA-së.