Gazeta greke ‘Kathimerin’ thekson se Beogradi tërhoqi personelin nga ambasada pasi e akuzoi Maqedoninë për ‘operacione ofensive’ kundër Serbisë, transmeton lajmi.net.
Kjo gazetë shkruan se Beogradi duket të jetë i zemëruar sepse Shkupi i ka përmirësuar marrëdhëniet me Prishtinën.
Tutje thuhet se mosmarrëveshja erdhi në një kohë kur Maqedonia po bën përpjekje për të ringjallur kandidaturën e saj për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s, pas një periudhe që shënoi trazira.
‘Kathimerin’ kujton se kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka formuar një qeveri koalicioni në qershor, gjashtë muaj pas zgjedhjeve në vend. Greqia këmbëngul që të vendoset mbi emrin e Maqedonisë para se ky vend t’i bashkohet ndonjë aleancë ndërkombëtare.
Qeveria maqedonase njoftoi se kur të vendoset për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO do të marrë parasysh pikëpamjet e shumicës së vendeve të BE-së, edhe pse muaj më parë Zaev kishte thënë se Shkupi do të jetë neutral në votim.
Agjencia maqedonase ‘Makfax’ bëri të ditur se Qeveria e Maqedonisë ka përgatitur një propozim për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe ka vlerësuar se kjo është një arsye pse Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka tërhequr stafin e ambasadës në Shkup për konsultime urgjente në Beograd.
Në lidhje me këtë ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka paralajmëruar se nëse Shkupi zyrtar ndryshon qëndrimin për anëtarësim të Kosovës në UNESCO edhe Serbia do të ndryshoj qëndrimin e saj mbi emrin e Maqedonisë./Lajmi.net/