Ballinat e gazetave serbe sot janë të mbushura me informacione jozyrtare për incidentin diplomatik të inicuar nga Serbia, pas vendimit të saj për të tërhequr personelin e ambasadës së saj në Shkup.
Mediat serbe shkruajnë se diplomatët serbë janë përndjekur në mënyrë të fshehur, por edhe se ka pasur metoda për t’i frikësuar ata, transmeton Tetova sot. E përditshmja “Blic” bazuar në burime jozyrtare shkruan se presioni ka qenë me pëlqimin e ndërkombëtarëve.
Ndërkaq titulli kryesor në ballinën e gazetës proqeveritare Informer thotë: “Skandal: Maqedonasit kanë përgjuar edhe Vuçiqin”. Gazeta “Veçernji Novosti” shkruan “Maqedonasit e kanë përgjuar edhe kreun serb”.
Telegrafi serb ka shkruar “Zaev i shpall luftë Serbisë”. B92 ka shkruar “Zaev e ka ndërruar qëndrimin, para 3 muajve ka qenë “neutral” ndaj Kosovës”. Dje krerët qeveritarë serbë thanë se arsyeja e vendimit për të tërhequr stafin diplomatik është për shkak të ndikimit të jashtëzakonshëm që ka pasur shërbimi i zbulimit maqedonas në drejtim të Serbisë.
Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq dje theksoi se mund të ndryshojë qëndrimin lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë, nëse Shkupi zyrtar do të ndryshojë qëndrimin e përmbajtur që ka për hyrjen e Kosovës në UNESCO.
© KOHA