Partitë politike kanë pritur minutat e fundit për të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat me kandidatë për kryetar të komunave dhe asamble komunale për zgjedhjet e 22 tetorit. Për këto zgjedhje për certifikim kanë aplikuar 91 subjekte politike, prej tyre 35 parti politike, një koalicion, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur.
Minutat e fundit për të aplikuar për certifikim për zgjedhjet e 22 tetorit i ka pritur PDK-ja. Pak para orës 24:00, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Blerand Stavileci ka dorëzuar listat me emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe kandidatët për kuvendet komunale.
Ai pas dorëzimit të listave tha se PDK edhe kësaj radhe me emrat e propozuar për kryetarë komunash po dëshmon se është parti reformuese, duke futur në garë 80 për qind kandidatë të rinj, e po ashtu me më së shumti gra nga të gjitha subjektet tjera.
“PDK përsëri prin edhe për nga cilësia edhe për nga numri i emrave të rinj, edhe për nga numri i kandidateve femra, pra ne kandidojmë me tri gra në qytete të Kosovës. Po ashtu siç e patë nga kjo listë, pra 23 nga 31 kandidatë janë emra të rinj që përkthyer në përqindje është 80 për qind kandidatë që garojnë për herë të parë. Edhe një herë dëshmojmë si partia më e madhe në vend që edhe pas shtatë palë zgjedhjesh të fituara ne pra, po e dëshmojmë se jemi parti reformatore dhe e hapur ndaj personaliteteve të dëshmuara në sfera të ndryshme në vendin tonë”, tha Stavileci.
PDK ka kandiduar Lirak Çelajn për kryetar të Prishtinës, derisa në Prizren ka propozuar Shaqir Totajn, një emër jo fort i njohur në politikën kosovare.
Ilir Deda nga Alternativa ka dorëzuar aplikacionet për certifikim, derisa tha se ata do të garojnë me pesë kandidatë për kryetarë komunash dhe një listë.
“Me vetë faktin që Alternativa sot ka dorëzuar aplikacionet për zgjedhjet komunale në disa komuna tregon që koalicioni jonë në nivel qendror nuk është përkthyer në nivel lokal, edhe pse me LDK-në dhe AKR-në kemi pasur një dakordancë që të merremi vesh si të dalim në zgjedhje. Por s’e di pse kanë vendosur që të gjitha të garojnë ndaras. Ne do të dalim me pesë kandidatë për kryetar komunash dhe një listë zgjedhore. Do të kemi kandidat për kryetar në Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë dhe Prishtinë. Në Prizren është Veton Qipa, në Gjakovë dihet Mimoza Kusari-Lila, në Pejë është Reshat Nurboja, në Mitrovicë është Mehmet Mehmeti dhe në Prishtinë është Rifat Deri”, tha Deda.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, pas orës 24:00, bëri të ditur se është mbyllur afati për dorëzimin e listave për certifikim me kandidatët për kryetar komunash dhe asamblistë, duke thënë se deri në përmbyllje të afatit kanë aplikuar 91 subjekte.
“KQZ njofton se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike që duan të marrinë pjesë në zgjedhjet lokale për kryetar të komunave dhe kuvende komunale që do të mbahen me 22 tetor 2017. Gjatë kësaj periudhe dy mujore 22 qershor- 22gusht kanë aplikuar gjithsejtë 91 subjekte politike, prej tyre 35 parti politike, një koalicion, 30 nisma qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur, pra kandidatë për kryetar komune apo për kuvende komunale në komuna të ndryshme”, tha Elezi.
Elezi theksoi se në ditët në vazhdim do t’i bëjnë të ditura secilin subjekt në sa komuna ka kandiduar, pasi jo të gjitha subjektet kanë kandiduar në 38 komuna sa janë në Kosovë.
© KOHA.