Policia e Kosovës ka arrestuar sot rreth mesditës, në rrugën Partesh-Gjilan, një grup të gazetarëve të etnisë ruse, njoftoi RTV Puls. Siç transmeton Expressi, janë arrestuar Juri Georgieviç nga Letonia, si dhe Robion Denisov dhe bashkëshortja e tij Vera, të dy nga Estonia. Arsyeja për arrestimin, sipas televizionit, nuk dihet ende.
“Policia ka shoqëruar një grup shtetasish të huaj. Aktualisht po kontrollohet arsyeja e qëndrimit të tyre në Kosovë”, ka deklaruar për televizionin serb të Shillovës Shaban Azizi nga PK për rajonin e Gjilanit.
Ekipi i gazetarëve është ndaluar në rrugën magjistrale pasi që, sipas RTV Puls, kishin realizuar një intervistë me kryetarin e komunës Partesh, Dragan Nikoliq, në zyrën e tij në Pasjan.
“Pasi përfunduam intervistën, gazetarët më njoftuan se kanë kryer punë në Kosovë dhe se janë nisur drejt Bujanocit”, i ka thënë Nikoliqi televizionit.
Gazetarët, gjithnjë sipas të njëjtit burim, kanë qëndruar dy ditë në Kosovë duke vizituar kisha dhe manastire dhe kjo s’ka qenë vizita e tyre e parë këtu.