Një 43-vjeçar, i cili sipas hetimeve të policisë shiste heroinë në sasi të konsiderueshme si dhe me doza në disa zona të Tiranë, është vënë në pranga këtë të mërkurë.
Specialistët e Seksionit për Narkotikët, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë finalizuar operacionin “Continued”, duke arrestuar në flagrancë 43-vjeçarin Miron Xhano, banues në Tiranë, shkruan syri.net, përcjellë Klan Kosova.
Për të, Specialistët e Seksionit për Narkotikët, dispononin informacion se kryente aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së lëndëve të dyshuara narkotike të llojit Heroinë, në sasi të konsiderueshme si dhe me doza, personave të ndryshëm, në zonën e 21 Dhjetorit, Rrugës së Durrsit dhe Sheshi Karl Topia, duke përdorur automjetin e tij të markës Volkswagen.
Në baze të informacioneve të marra është organizuar shërbimi me qëllim kapjen në flagrancë të këtij shtetasi dhe konkretisht në Rrugën “Muhamet Gjollesha”, në kryqëzim me Rrugën “Naim Frasheri”, është konstatuar shtetasi Miron Xhano, të cilit gjatë kontrollit personal i’u gjetën në një kuti të vogël, 5 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit “Heroinë”.
Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 329.2 gramë me lëndë të dyshuar narkotike e llojit “Heroinë”, e ndarë në paketime dhe doza të ndryshme.
Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
- 1 automjet i markës “Volksëagen”
- 4 aparatura telefonike
- 1 peshore elektronike
Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.