Skenë e betejave personale e individuale, e muhabeteve të kota e ka cilësuar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku atë që ndodhi në Kuvendin e Kosovës mes Kadri Veselit e Albin Kurtit.
“Ne jemi të indinjuar nga muhabetet e PAN-it. Është e evidente që numrat nuk i ka, dhe është në përpjekje për të blerë kohë dhe vota. I gjithë vendi është peng i tekave të Kadri Veselit”, ka thënë Abdixhiku.
“Ne kemi pritur që mos të bimë në provokime të PAN-it për të hapur konflikte të brendshme. Por ftoj Vetëvendosjen që të shmanget nga goditjet e ulëta ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës siç bëri sot Albin Kurti”, ka thënë ai.
Kurti sot ka thënë se VV shtrin LAA-së dorën e bashkëpunimit.
Duke folur në vazhdimin seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se LAA-ja e ka caktuar Isa Mustafën për të zhvilluar bisedimet me partitë politike pas zgjedhjeve, por ka thënë se ai nuk ka bërë asgjë deri tani në këtë drejtim.
“Nëse nuk është takuar asnjëherë me PDK-në dhe vetëm njëherë me ne për çfarë bisedime bëhet fjalë”, ka thënë se Kurti duke shtuar se Mustafa nuk po zhvillon bisedime sepse po do që të vazhdojë të qëndrojë si kryeministër.
© KOHA