Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, ka bërë thirrje që Kuvendi dhe institucionet e Kosovës të formohen sa më shpejtë, meqë vendin e presin sfida të mëdha.
Në një intervistë për Telegrafin, zëdhënësja Dinka Zhival thotë se përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë kërkon nga partitë parlamentare të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta dhe ligjet.
“Kosova përballet me shumë sfida – papunësia e lartë, sistemi arsimor me performancë të ulët, korrupsioni dhe sundim të dobët të ligjit – të cilat mbeten pengesë për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme që ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë. Prandaj, është e rëndësishme që liderët politikë t’i marrin seriozisht këto sfida dhe të veprojnë në përputhje me interesin më të mirë të popullit të Kosovë”, thuhet në përgjigjen dhënë Telegrafit.
Sipas përfaqësuesve të BE-së në Prishtinë, Kosova ka perspektivë të qartë evropiane dhe Bashkimi Evropian pret përshpejtim në agjendën e reformave që kontribuojnë në këtë rrugëtim.
“Banorët e Kosovës presin bhl udhëheqje të përgjegjshme që do të bëjë përparime të rëndësishme drejtë rrugës evropiane. Është detyrë e udhëheqësve politikë të ecin përpara”, deklaron Zhival. /Telegrafi/