Surroi tallet me PDK’në, Rugovën, Dacin… në një shkrim për Bajram Rexhepin

Gazetari Veton Surroi, në një shkrim të botuar në Gazetën Koha Ditore, ka lavdëruar figurën e ish-Kryeministrit Bajram Rexhepi, që vdiq javën e kaluar, duke sjell në kujtesë edhe disa episode interesante të karrierës së tij. Por edhe në këtë shkrim ai nuk la pa goditur edhe rivalët e tij, përmes disa cilësimeve interesante.

Këto janë disa prej fragmenteve të Surroit në këtë shkrim, e që janë mjaftë interesante.

Kështu, aty ai e cilëson PDK’në si “organizatë që merret EDHE me politikë”.

“Qe pjesë e një organizate që merrej edhe me politikë. Në perceptimin e shumë njerëzve, raporteve të inteligjencës së shteteve të NATO-s, e së fundmi edhe të Prokurorisë së Gjykatës Speciale, një pjesë e prijësve të organizatës së cilës i përkiste merrej me “zap’imin” e shtetit. Ndërsa Bajram Rexhepi e kundronte Qeverinë si instrument të ndërtimit të shtetit, prijësit e tij politikë e shihnin si sportel tërheqjesh parash. Kur u arrestua Fatmir Limaj dhe u dërgua në Hagë, prej kryeministrit u kërkua nga shefi i tij që të prodhojë një milion euro në cash. “Nuk kuptojnë që arka e Qeverisë nuk është kasafortë”, më tha”, shkruan Surroi.

Për Bajram Rexhepin thotë se deshi me trupin e tij ta mbrojë turmën që ishte nisur ta digjte Çagllavicën, fshatin serb që disa prej bashkëpartiakëve të tij “e shihnin si një patundshmëri”, duke aluduar kështu qartë në dallaveret me toka që janë bërë në atë pjesë nga Azem Syla.

Për Ibrahim Rugovën thotë se filloi t’i dukej vetja President, pasi që ashtu e cilësonin truprojat e tij.

Surroi gjen vend edhe për një flakaresh ndaj Rexhep Hotit, që dikur ishte dërguar nga PDK’ja si Këshilltar i Kryeministrit Rexhepi.

“Dhe përderisa Bajram Rexhepi mësonte se çka është Qeveria, shumë palë sy e vështronin Bajram Rexhepin. Ato të bashkësisë ndërkombëtare masnin se sa janë kosovarët të përgatitur për qeverisje. Sytë e Gjarprit, me anë të këshilltarëve që ia dërgoi, do të vëzhgonin në çdo moment se a i përmbahej rolit të përcaktuar, ta ruajë vendin e kryeministrit e mos ta mbushë atë me përmbajtje. (Njërin prej tyre B.Rexhepi do ta përjashtonte më vonë, me cilësimin mjekësor “skizofren”, cilësim që nuk i pengoi që edhe sot e kësaj dite të jetë nënkryetar i PDK-së)”.

As Nexhat Daci nuk i ka shpëtuar Surroit në këtë shkrim.

“Që në fillim të mandatit u krijua presion i madh ndërkombëtar që edhe ai të jetë pjesë e një procesi fillestar negociator me Serbinë në Vjenë. Ndonëse pa shumë përvojë në këto gjëra, vendosi të rezistonte (disa të tjerë, si kryetari i atëhershëm i Kuvendit, mezi pritën të hipnin në avion) dhe arriti të ruante mendimin e tij deri në fund, që mos t’i hyhej një aventure që ishte grackë për Kosovën”.

Surroi thotë se Bajram Rexhepi arriti ta ruante integritetin e tij në një Qeveri që partitë po e mbushnin me militantë partiakë të cilët i bartnin me autobusë në bastionet e tyre çdo ditë. /GazetaExpress/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme