Diplomatët të shqetësuar me emërimet në gjykatat më të larta të Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar si dhe zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, kritikuan të premten Këshillin Gjyqësor të Kosovës për shkak të procesit të emërimit kryetarit të Gjykatës së Apelit, si dhe të kryetarit të Gjykatës së Lartë të Kosovës.

Procesi i këtyre emërimeve ishte përshkuar fillimisht me ankesa për shkak të të cilave çështja ishte trajtuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila e kishte rikthyer çështjen në fillim.

Gjykata Kushtetuese, kishte konstatuar se në këtë rast Këshilli Gjyqësor “nuk ka parashikuar masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e mjaftueshëm të parimeve te barazisë dhe transparencës”.

Në një reagim të ambasadës amerikane dhe asaj britanike thuhet se “pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesit e ambasadave sugjeruan Këshillit Gjyqësor përmirësimet që do të mund t’i bënte në procedurat e tij për emërim për të ndërtuar besimin e opinionit publik në sistemin e drejtësisë”.

Ambasadat shprehen “të zhgënjyera me vendimin që votimi të mbahet i fshehtë. Besojmë se votimi i hapur do të dërgonte sinjal të fortë të përkushtimit të KGJK-së ndaj parimeve të transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies”.

Në reagim thuhet se rrjedha e procesit “na ka bërë që sërish të vëmë në dyshim përkushtimin e sinqertë të KGJK-së ndaj këtyre parimeve. Mungesa e çfarëdo diskutimi domethënës për meritat e kandidatëve në listën e ngushtë do të thotë se një pjesëtar i publikut që i ka ndjekur këto procese nuk do të mund të kuptonte përse një kandidat parapëlqehet para një tjetri… Duhet të theksojmë që brenga jonë ka të bëjë me transparencën e procesit e jo me kandidatët veç e veç”.

Në reagim theksohet se “ndërtimi i besimit të qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë nuk nënkupton vetëm që procedurat të jenë në përputhje me Kushtetutën. Ka të bëjë edhe me të siguruarit se proceset e rekrutimit, përzgjedhjes dhe emërimit janë vendosur dhe zhvilluar në mënyrë të tillë që maksimalizojnë transparencën e vendimmarrjes. Duke marrë parasysh pozitën thelbësisht të rëndësishme që KGJK-ja e zë në sistemin e drejtësisë të Kosovës, ajo duhet të udhëheqë me shembullin e saj”, theksohet në reagimin e ambasadës amerikane dhe asaj britanike në Prishtinë.

Edhe zyra e Bashkimit Evropian thekson se “ka vërejtur që përzgjedhja e kryetarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit nuk u parapri nga një diskutim thelbësor mbi përshtatshmërinë e kandidatëve për pozitën. Ne theksojmë se shqetësimet tona kanë të bëjnë vetëm me procesin e përzgjedhjes, pavarësisht nga kandidatët e përzgjedhur. Një gjyqësor i pavarur, i hapur, i përgjegjshëm dhe efikas, i lirë nga ndërhyrjet politike është ajo për të cilën njerëzit e Kosovës kanë nevojë dhe e presin nga udhëheqësit e tyre. Kjo është në interes të popullit të Kosovës dhe një parakusht thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën evropiane”, thuhet në një komunikatë të zyrës së Bashkimit Evropian.

Më 9 gusht Këshilli Gjyqësor zgjodhi Hasan Shalën ne posti e kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe Enver Pecin në postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë të Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëpërmjet një komunikate tha se do të mblidhet gjatë javës së parë të muajit shtator për shqyrtimin e hollësishëm të deklaratave të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme