Sot ka vazhduar seanca ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, të cilët u akuzuan për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës.
Në seancën e kaluar, trupi gjykues i ka liruar të katër aktivistët e Vetëvendosjes nga masa e arrestit shtëpiak, respektivisht paraburgimi, duke iu zëvendësuar këtë masë me paraqitje në polici një herë në javë.
Pas përfundimit të vazhdimit të seancës së tyre, sot i akuzuari për terrorizëm, i cili tani është deputet i Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi, ka thënë para mediave se procesi i tyre gjyqësor ka qenë thjesht i montuar.
“Rasti ynë ka qenë i montuar nga policia e Kosovës, në deklaratat tona janë ndërruar disa herë dëshmitë, kanë shtuar deklarata te dëshmitarët që nuk i kanë thënë fare, ndërsa sot po deklarojnë se nuk i kanë thënë ato”, ka thënë Frashër Krasniqi.
Tutje ai ka thënë se edhe vdekja e Astrit Deharit, është bërë vetëm si shkak i falsifikimeve të deklaratave të tyre.
“Jemi mbajt 1 vit të izoluar në bazë të falsifikimeve që i ka bërë Prokuroria dhe Policia, Astrit Dehari nuk është sot në mesin tonë për shkak të këtyre falsifikimeve”, ka thënë ai.