Deputetja e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda përmes një statusi në faqen e vet në Facebook ka ndarë atë që e cilëson një lajm të mirë; shfuqizimin e ndryshimit kushtetues që i hapte rrugën legalizimit të martesave gay.
Kjo sipas Dodës, erdhi pas kërkesës dhe këmbënguljes së pareshtur të PDIU, ‘që arriti të ndalonte një ndryshim që mund të sillte një strukturë tjetër sociale, larg modelit të familjes natyrale e tradicionale’.
“Lajm i mire
Me kerkesen e PDIU dhe këmbënguljen tone te pareshtur sot u shfuqizua nga Komisioni i Posaçëm i Reformës ndryshimi Kushtetues që i hapte rrugën legalizimit të martesave gay. Kjo do të thotë se së bashku arritëm të ndalonim një ndryshim që mund të sillte një strukturë tjetër sociale, larg modelit të familjes natyrale e tradicionale. Falenderoj me këtë rast gjithë kolegët tanë deputetë që u bashkuan në kauzën Pro Familjes Natyrale, krerët e religjioneve dhe besimtaret, familjaret, të rinjtë e të rejat që konsiderojnë modelin tonë familjar atë burrë-grua dhe që përkrahën këtë vizion të shëndetshëm të shoqërisë sonë”, shkruan Doda.