Autoritetet e Belgjikës thonë se një person është qëlluar për vdekje nga policia, pasi i kishte sulmuar dy ushtarë me thikë.
Zyra e prokurorit federal ka njoftuar mbrëmë se sulmuesi së pari ishte plagosur dhe pasi ishte dërguar në spital, ka vdekur.
“Sipas identitetit që aktualisht e kemi, ky ishte një person 30 vjeçar, që nuk është i njohur për aktivitete terroriste”, ka thënë kjo zyrë.
Sulmi ndodhi në qendër të Brukselit.
Pos policëve të rregullt, ushtarët po ashtu patrullojnë së bashku me ta në rrugët e Brukselit, prej marsit të vitit 2016, kur në aeroportin kryesor dhe në metronë e Brukselit janë vrarë 32 vetë.
Në muajin qershor të këtij viti, ushtarët e vranë një sulmues të dyshuar me bombë në stacionin kryesor hekurudhor, ndërsa autoritetet e kishin vlerësuar këtë ngjarje si incident terrorist.