Partitë politike në Maqedoni, ato shqiptare në veçanti, qëmoti kanë filluar të bëjnë kalkulimet për zgjedhjet lokale. Barra më e rëndë padyshim se do të rëndojë mbi supet e kandidatëve që bashkërisht me ekipet e tyre do t’iu prijnë betejave nëpër komuna të ndryshme. Derisa në horizont shihen bashkëpunimet eventuale midis partive shqiptare në komuna të cilat janë të banuara me popullsi të përzier, megjithatë, në komunat ku partitë shqiptare e dijnë forcën dhe potencialin e tyre, kanë zgjedhur të garojnë njëra me tjetrën.
Një prej komunave më të përfolura dhe njëkohësisht më të rëndësishme pa dyshim se është edhe komuna e Çairit. Ishte pikërisht kjo komunë shqiptare ajo e cila e ndaloi forcën dominante të BDI – së dhe ktheu rezultatin në favor të Lëvizjes BESA. Në krye të mobilizimit të përgjithëm të strukturave partisë shqiptare më të madhe opozitare në Maqedoni qëndronte kryetari i degës për Çairin, Bekim Sali.
Bekim Sali, pos si stomatolog i suksesshëm, po ashtu në Çair njihet edhe si organizator i shkathët dhe bashkëpunues dhe punëtor i palodhshëm. Larg beteja mediatike dhe ambicieve për pushtet, megjithatë emri i tij është më i lakuari nga partitë kundërshtare të Lëvizjes BESA.
Jo shumë kohë më parë, përmes medieve të pushtetit, u tentua të sajohet edhe një plasaritje në Lëvizjen BESA dhe kjo ndodhi për arsyen e thjeshtë: Sali ka arritur që më sukses të betonizojë strukturat e kësaj partie në Çair dhe një trillim i tillë më tepër ngjante në klithje dëshpërimi nga ato parti që synojnë këtë komunë, e në veçanti nga BDI.
Çairi njihet si njëra prej komunave më të degraduara në aspektin infrastrukturor. Gjatë mandateve sa u qeveris nga Izet Mexhiti i BDI – së, kjo komunë jo vetëm se u ngulfat nga ndërtimet e egra, po gjithçka thuajse dhunshëm kontrollohej nga grupe interesi. Kjo solli deri tek akumulimi i pakënaqësisë së popullatës e cila u mobilizua dhe u organizua për të luftuar të gjitha dukuritë negative që ishin prodhim i njerëzve që interesat e tyre personale i mbronin pa i kursyer madje as veprimet kriminale.
E, derisa Lëvizja BESA ende nuk e ka bërë publike kandidaturën për komunën e Çairit, BDI ka treguar përmes shpifjeve të saj se cilit kandidat i frikësohet./Sakte.net