Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme se bashkëshortja e ministrit dhe zyrtarit të kësaj partie Blerand Stavilecit është rrahur nga “kriminelë të Vetëvendosjes”.
Sipas Ismailit, pas sulmit bashkëshortes së Stavilecit i është thënë që të porosisë bashkëshortin e saj të mos flasë më për udhëheqjen e Prishtinës.
“Sot, në mesdite, kriminelet e Vetëvendosjes kane sulmuar dhe rrahur brutalisht, bashkëshorten e ministrit, kolegut dhe bashkëpartiakut tonë në PDK, Blerand Stavileci. Zonja Vitore Metaj Stavileci, para se të jetë bashkëshortja e një politikani, është nënë, është motra e dikujt dhe është një grua shqiptare. Ajo, pas lëndimeve të marra, po trajtohet në qendrën emergjente të QKUK-së. Ne, kolegët dhe miqtë e familjes Stavileci, qëndrojmë pranë tyre në këtë moment të vështirë duke i dëshiruar shërim sa më të shpejt Vitores dhe tejkalim të kësaj ngjarje të rëndë, qartazi të porositur nga grupe politike kriminale, nga njerëz që duan ta helmojnë e shkatërrojnë shtetin dhe te terrorizojnë familjet e çdokujt që nuk mendon si ta. Blerand Stavileci, kohëve të fundit ka qenë një prej zërave më të theksuar për mos punën dhe keqpërdorimet e shumta në Komunën e Prishtinës nga zyrtarët më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse, pas sulmit fizik, Vitores i është thënë qe t’i përcjell porosi Blerandit, duke kërkuar të mos flet më, se është duke folur shumë dhe nuk duhet të flas më”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili.
Blerta Deliu-Kodra, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se PDK kërkon nga organet e rendit të kapë sa më parë autorët e rrahjes së Vitore Stavilecit.
“Kërkojmë që sa më parë të vihet në rend drejtësia. Organet e rendit duhet të kapin autorët e kësaj rrahjeje”, ka thënë Deliu duke akuzuar Vetëvendosjen se e ka kryer rrahjen.
Deliu ka thënë se ky qëndrim i tyre, ka nisur fillimisht me diskurs të urrejtjes e tani po kthehet në dhunë.
“Ata po djegin vetura private, po shkatërrojna prona private.Kjo është e papranueshme nga PDK-ja, që të tolerohet gjuha e urrejtjes nga Vetëvendosja”, ka thënë ajo duke shtuar se gjithçka nisi si gjuhë politike dhe diskurs i urrejtjes e tani u kthye në dhunë të ashpër.
Bashkëshortja e Stavilecit pas lëndimeve të marra nga sulmi i sotëm po trajtohet në QKUK. Sipas Ismailit, ajo ishte duke dalë nga shtëpia për t’u takuar me bashkëshortin për të festuar përvjetorin e martesës. Ismaili ka thënë se Vitore Stavileci u sulmua në afërsi të shtëpisë së saj.