Në mediat vendore është publikuar një fotografi , ku shihen se bashku Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli si dhe zyrtari i kësaj partie Sami Lushtaku.
Duke komentuar në lidhje me këtë, Nexhat Haziri ka thënë se presidenti Thaçi nuk ka shkëputur lidhjet e tij me PDK-në, dhe se ai së bashku me Veselin janë bashkë kryetar të kësaj partie.
Ai ka vlerësuar se pamjet e fundit të Thaçit, nuk janë asgjë e re.
“Nuk është asgjë e re apo sezacionale, pamjet e fundit të presidentit të Republikës Hashim Thaçi, me bashkryetarin tjetër të PDK-së, Kadri Veselin dhe anëtarin tjetër të kësaj partie, Sami Lushtaku. Thaçi që nga zgjedhja e tij si president i Republikës, nuk i ka shkëputur për asnjë moment lidhjet e tij me PDK-në, jo vetëm në aspektin emocional të tij, por edhe të vendimarrjes dhe politikbërjes së bashku më shokët e tjerë të parties. Ai së bashku me Kadri Veselin janë bashkryetar të PDK-së. Thaçi, duke marrë parasysh personalitetin e tij dhe karizmën e tij politike, është një person përçarës, i pabesueshëm dhe mosmirënjohës edhe ndaj vetë bashkëpunëtorëve të ndryshëm të tij, të cilët i ka pasur gjatë rrugëtimit të tij politik, dhe nuk ka qenë shumë e vështirë për të, që pas shfrytëzimit të tyre, apo pas përmbushjes së ambicjes së tij politike, ti hedhë si limon të shtrydhur”, ka thënë Haziri.
Po ashtu, ai ka thënë se Thaçi nuk mund të luajë rolin unifikues siç e kërkon Kushtetuta e vendit dhe të ketë neutralitetit partiak.
“Dhe e tëra kjo, e bën që ai edhe pse si president i Republikës, i zgjedhur në mënyrë kundërthënëse, duke shantazhuar e blerë deputetë. Ai nuk do të mund asnjëherë ta luajë rolin unifikues ashtu siç ia përcakton Kushtetuta e Republikës, dhe të jetë mbi partitë politike sa i përket neutralitetit partiak. Dhe këtë e di mirë edhe vetë Thaçi, andaj për të mbijetuar në këtë post, ai nuk do t’i shkëputë lidhjet e tij me PDK-në, por as edhe me grupet tjera të biznesit, të cilat përfituan nga qeverisja e Thaçi si kryeministër, por edhe ky vetë nga këto grupe”, ka përfunduar Haziri.