PDK kësaj radhe ka vendosur që në zgjedhjet lokale të garojë me emra të rinj. Vetëm dy nga ta janë deputetë të zgjedhur.
Nga PDK-ja për kryetar komune të Gjilanit do të garojë Zenun Pajaziti, ndërsa për Ferizaj Agim Aliu, të dy deputetë të zgjedhur.
Nga Nisma për Kosovën për kryetar komune të Prizrenit do të garojë Zafir Berisha, ndërsa Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa e cila është zgjedhur si deputete e koalicionit me LDK-në dhe AKR-në ka vendosur që të garojë në Gjakovë.
Edhe LDK-ja nuk ka kandiduar për kryetar të komunave ndonjë deputet të zgjedhur, përveç në Prishtinë.
Partia e Isa Mustafës ka vendosur që kësaj radhe në Prishtinë të garojë me Arban Abrashin, deputet i zgjedhur dhe ish-ministër në Qeverinë Mustafa.
AAK-ja nuk ka kandiduar asnjë deputet për kryetar komune.
Fillimisht është përfolur se Daut Haradinaj do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Deçanit, por AAK në këtë qytet do të garojë me Bashkim Ramosajn.