Sot ka filluar viti i ri shkollor 2017/2018 për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Rreth 28 mijë nxënës do të ulën për herë të parë në bankat shkollore.
E, derisa shumë fëmijë kanë ngarkuar për herë të parë çantat drejt tempullit të dijës, megjithatë, realiteti që mund t’i pres është i hidhur, më i hidhur se sa do të mund t’ia paramendonte çdo prind fëmijës së tij!
Fillimit të vitit shkollor i është gëzuar edhe një “veteran i arsimit”. Hysni Racaj, mësues tashmë i pensionuar që për 40 vite shërbeu në arsim dhe “edukoi” breza të tërë, përmes rrjeteve sociale ka uruar një fillim të mbarë shkollor. Ose, më saktë thënë, ka bërë përpjekje që të përpilojë një urim ngase drejtshkrimi është skandaloz.
Gjithçka që ka shkruar “veterani i arsimit” Hysni Racaj është në kundërshtim të plotë me rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, duke filluar nga fjalët, shenjat e pikësimit , por të dukshme janë edhe gabimet logjike. Ai kërkon madje edhe “formimin e njeriut tonë të ri”!
Në një status tjetër ku shkruan për përfundimit e karrierës së tij si mësimdhënës, ai pretendon se me sukses e ka përmbyllur karrierën e tij 40 vjeçare, ndërsa vetveten e pandeh për “gardian të edukimit, historisë dhe gjeografisë së atdheut” – kuptohet, thuajse çdo fjalë është e shkruar me lëshime serioze drejtshkrimore, por edhe logjike sepse, siç shkruan ai vetë, feston “65 vjetorin e ditëlindjes”!
“Mësuesi” Hysni në një status tjetër ka uruar edhe “festen kometare te shqiperise” . Për më tepër, portali Sakte.net ua sjell pa ndërhyrje shkrimet e “mësuesit” Hysni Racaj i cili shërbeu plot 40 vite në arsim në komunën e Klinës, ndërsa një periudhë ishte edhe në pozitën e zëvendësdrejtorit.
Cilësia e ultë e arsimit në Kosovë vazhdon të jetë një prej problemeve kryesore. Në arsimin parauniversitar sfidë këtë vit shkollor pritet të jetë zbatimi i kurrikulës së re me tekste të vjetra, testi “PISA 2018”, tekstet shkollore me gabime të shumta e shumë probleme të tjera. Një prej problemeve kryesore, del të jetë edhe performanca e mësimdhënësve, të cilët si në rastin konkret, kanë gjymtuar shumë gjenerata në fushën e dijes. Dhe nuk është larg mendsh që derisa prindërit dhe fëmijët i gëzohen fillimit të vitit shkollor, në shkolla të jetë i madh numri i “mësuesve Hysni” që presin t’i edukojnë brezat e ardhshëm./Sakte.net