Ndonëse jo zyrtarisht mes deputetëve të koalicionit PAN flitet që këtë javë do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, kryesuesi i saj, Adem Mikullovci nuk ka asnjë njoftim se kur do të vazhdoi ajo.
Mikollovci gjatë një prononcimi për Indeksonline thotë se PAN është ende në biseda dhe nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga ana e tyre dhe se pa pasur një konfirmim prej tyre, nuk do të ketë vazhdim të seancës.
“Janë në biseda, por konfirmim zyrtar nuk kanë, pa më lajmëruar unë nuk e thërras seancën”, ka thënë Mikollovci.
Sipas tij, nuk ka pasur asnjë njoftim përveç lajmeve nëpër media.
“Nuk kam kurrfarë lajmi. Këta po thonë në fundjavë, pra janë lajme që të gjithë po i shohim. Të shohim, herë po thonë se PAN dhe AKR janë marrë vesh e herë nuk janë marrë vesh, prandaj nuk mundem të thirri seancën ende”, ka shtuar ai.
Ndryshe, zyrtarët e koalicionit PAN presin që brenda kësaj jave të konstituohet Kuvendi dhe të krijohen institucionet e reja.