Deputeti i Nismës për Kosovën Zafir Berisha, ka dorëzuar ankesë në PZAP lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për decertfikimin e tij nga gara për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet e 22 tetorit.
Berisha për Indeksonline ka thënë se e ka përgatitur ankesën dhe e ka dorëzuar tashmë në PZAP.
Berisha thotë se ky vendim i KQZ-së ka qenë i ndikuar nga siç i quan ai bandat që kanë kapur pushtetin.
“E kam përgatitë dhe dorëzuar në PZAP ankesën rreth këtij vendimi politik të KQZ-së i cili dyshoj më të drejtë së është i ndikuar nga bandat mafioze që e kanë kapur pushtetin”, ka thënë Berisha.
Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-së për Indeksonline ka konfirmuar se një kandidat nga Nisma për Kosovën, Dega Prizren ka dorëzuar ankesë në këtë komision.
Ndryshe dje, KQZ ka marr vendim për decertifikimin e Berishës, duke i pamundësuar atij të kandidoj në garën për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.
Berisha këtë vendim e ka quajtur politik.
Ndërsa, dje Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së është deklaruar se nuk ka asgjë kundër Berishës por vetëm se e ka zbatuar ligjin.