Qeveria “Haradinaj”, e cila i ka 21 ministri, pritet “të rehatohet” edhe me rreth 50 zëvendësministra, duke tejkaluar kështu për nga madhësia shumicën e qeverive në rajon.
Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, sipas marrëveshjes së koalicionit, PDK-së së Kadri Veselit i takojnë rreth 20 pozita të zëvendësministrave, ARK-së shtatë, AAK-së gjashtë, Nismës pesë zëvendësministra në Qeveri, ndërsa të tjerët i takojnë përfaqësuesve të minoriteteve.
Megjithatë, zyrtarët e PDK-së dhe të AAK-së nuk preferojnë të flasin për numrin e zëvendësministrave që do t’i ketë Qeveria e re, pas reagimeve të shumta në opinion për madhësinë e ekzekutivit.
Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së, ka deklaruar për “Zërin” se nuk e di sa zëvendësministra do t’i ketë qeveria “Haradinaj” e as kush do të jenë ata.
LEXO EDHE: Ndarja e PAN-it, për beneficione në Parlament
Ndërsa Muharrem Nitaj, nga AAK-ja, ka thënë se nuk është vendosur ende për këtë çështje, ndonëse në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit zyrtarë të AKR-së kishin deklaruar se në Qeverinë e re do t’i drejtojnë katër ministri, si dhe do t’i kenë shtatë zëvendësministra.
Në anën tjetër drejtues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) thonë se një qeveri e tillë me shumë poste ministrash e zëvendësministrash do të jetë barrë e rëndë për buxhetin e varfër të vendit.