Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka publikuar transkripton në shqip të intervistës së tij, ku ka folur për televizionin publik të Zvicrës, për krimet e luftës.
Pacolli tregon se kjo pjesë e intervistës është shtrembër, qëllimisht. Për ketë ai ka akuzuar gazetarin Enver Robelli, që thotë së njëherë është dënuar nga një gjykatë zvicerane për shpifje ndaj Ministrit të Jashtëm.
“Sot në disa mediume kosovare dhe shqiptare, është transmetuar intervista ime (e shtrëmbuar) dhënë për televizionin Zviceran SRF. Për korrektësi dhe informatë të drejtë, ja linku i intervistës origjinale, në gjuhen gjermane. E preferoj seicilin ta lexon drejtë. Kjo intervistë e shtrëmbuar është paraqitur së pari në Facebook të Enver Robellit e pastaj edhe në portalin ku ai shkruan. Për informatë, Robelli është denuar një herë nga gjykata Zvicerane për shpifje ndaj meje”, ka shkruar zëvendëskryeministri Pacolli në facebook.
Behgjet Pacolli ka shpërndarë edhe transkripton e përgjigjes së tij, të përkthyer në shqip, i pyetur gjatë intervistës për krime të luftës: “Behgjet Pacolli: Më shumë është thënë se sa që është bërë. Flitet për këtë Gjykatë që moti; këto ngritje të aktakuzave i kam pritur para një viti ose dy.
Është mirë që dikush ngre aktakuzë për dikë që ka bërë krime dhe nëse në mesin e kosovarëve ka njerëz të tillë që kanë bërë krime gjatë luftës, është e drejtë që ata të inkriminohen dhe të dënohen për këtë.
Ne sot jetojmë në shekullin 21, në mileniumin e tretë ku toleranca e bashkëpunimi vihen në rendin e parë dhe nuk duhej të bëhet fjalë as për hidhërimet nga e kaluara e as për urrejtjet ndërfetare apo ndërnacionale.
Unë besoj se Kosova e ka marrë drejtimin e vet paqësor; interesi i saj është që të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët e saj. Kosova i respekton fqinjët e vet; Kosova respekton çdo gjë që është civilizuese dhe ky respekt -besoj çdokush e di që duhet të jetë i ndërsjellë”.
Ndërkohë, Pacolli më vonë ka publikuar edhe video-intervistën në faqen e tij në facebook.
Ai thotë se gazetari i cili i shtrembëroi deklaratën e tij është i frustruar dhe joserioz.
“Siç ju thash edhe mbrëmë, po më duket se mediat tona kanë rënë pre e një gazetarit tendencioz, që çdo gjë që ka bërë në jetë, që nga viti 2005 e këndej, është munduar të më demtoj në të gjitha mënyrat (nuk di përse, ai i di arsyet). Robelli duhet njëherë e përgjithmonë të kupton se me shpifje, me kombinime të fjalive, me frustrime, nuk është serioz dhe korrekt. Po ashtu edhe deklarimet në emër të OVL-së dhe disave që pa bazë komentuan, ishin shumë të ngutshme. Për korrektesi, kjo është intervista origjinale (në shqip), e cila do te ishte mirë që mediat të cilët kanë rënë pre e shtrëmbrimeve, ta publikojnë versionin e saktë”, ka shkruar ai.