“Aktivitetet e Komunës së Tetovës, marifete politike që përdoren para zgjedhjeve”

Më 15 tetor të këtij viti duhet të mbahen zgjedhjet lokale në Maqedoni. Një ndër komunat më të mëdha në vend, Komuna e Tetovës në krye me Teuta Arifin, edhe para fushatës zgjedhore vazhdon me realizimin e programit të saj politik. Uji në Tetovë është po aq jetike sa vetë mbajtja e pushtetit lokal nga Arifi. Ajo do të kandidojë përsëri për të marrë në dorë për herë të dytë Tetovën, edhe atë për të materializuar premtimet që i dha para qytetarëve.

Ka gati 10 ditë që qytetarët e Tetovës janë duke shfrytëzuar ujin pa asnjë problem, përkundër faktit që gjatë verës dhe muajve të kaluar, një pjesë e madhe e qytetit ka hasur vështirësi me mungesën e ujit. Aktivitetet e Komunës para zgjedhjeve lokale shpesh herë duken nga qytetarët si pretekst dhe pikë politike. Por Komuna e Tetovës të gjitha aktivitetet parazgjedhore i cilëson si vazhdimësi dhe se nuk lidhen me zgjedhjet.

Armend Fazliu nga Komuna e Tetovës thekson për Telegrafin se ujësjellësi i Tetovës nuk është menduar për fushatë. Sepse teknikisht një gjë e tillë është e pamundur. 22 kilometra rrjet ujësjellësi nuk mund të përçohet në një terren të vështirë malor vetëm për nevoja elektorale, aq më pak të ndërtosh filter stacionin më modern në nivel nacional për fushatë zgjedhore.

“Të gjitha këto investime kapitale që nuk janë bërë për 20 vitë me rradhë kërkojnë dinamikë, financime dhe kohën e duhur për tu realizuar. Ndërtimi i ujësjellësit ka filluar të realizohet që në vitin 2013 kurse filtër stacioni në vitin 2015.

Ajo që është kryesore dhe për tu diskutuar është që sot ujësjellësit të Tetovës i shtohen edhe 200l për sekond që në sasi totale nënkupton 500l për sekond, bashkë me rrjetin e mëparshëm.

Rekonstruksioni i objekteve arsimore për Komunën e Tetovës është një punë rrjedhëse, statistikisht po të investigoni do të shihni nga bilanci i investimeve se në këtë vit nuk janë shtuar investimet, por mbase ka munguar vëmendja e duhur për t’i ndjekur investimet e Komunës në përgjithësi.

Edhe vendosja e shenjëzimit horizontal është punë rrjedhëse që ka afatet e procedurave për prokurim publik. Zakonisht bëhet para muajit shtator, me qëllim që shënjëzimi horizontal para objekteve shkollore të bëhët para fillimit të vitit shkollorë.

Përtej të gjithave, me rëndësi është një gjë, që investimet kapitale siç janë ujësjellësi i Tetovës, dhe zhbërja e deponisë në hyrje të qytetit mbajnë një nënshkrim: Atë të Teuta Arifit”, deklarohet Fazliu.

Qytetari Bekim Bajrami për Telegrafin shprehet i zhgënjyer nga pritshmëritë e Komunës së Tetovës dhe sipas tij nuk janë realizuar premtimet që Teuta Arifi i dha para katër viteve.

“Komuna e Tetovës në krye me Teuta Arifin gjatë fushatës premtoi dhe realisht kishte program shumë të mirë, por asnjëra prej atyre nuk u bë. Realizime tek-tuk. Uji në Tetovë është e një rëndësie të madhe dhe Komuna mund të arsyetohet se ka qenë projekt shumë i madh dhe ja tani i paraprijnë zgjedhjet lokale. Unë mendoj se kjo gjë është bërë qartë që ky projekt të përmendet gjatë fushatës. Thjeshtë e shkurt, mendoj se Arifi do të mbahet mend për keq-qeverisje lokale”.

Opinionisti për çështje politike, Xhelal Neziri vlerëson se aktivitetet e çdo komune është dashur të kryhen me kohë dhe nuk është e pranueshme që ato të bëhen në prag të zgjedhjeve lokale.

“Nëse janë të planifikuara, atëherë nuk është problem. Nëse janë në funksion të zgjedhjeve lokale, atëherë mendoj se jo vetëm Komuna e Tetovës por edhe Komunat tjera duhet ta kenë parasysh atë që thotë populli se “në ditën arifes nuk trashet kurbani”. Në interes të qytetarëve është të zgjidhen problemet dhe kjo duhej bërë me kohë”.

Reagime ka edhe nga aktivistë të organizatave jo-qeveritare. Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla për Telegrafin potencon se mandatet e kryekomunarëve kalojnë me aktivitete të zbehta, ndërsa nuk ndodh edhe para zgjedhjeve.

“Aktivitetet shtohen sa më shumë dhe se janë marifete politike që zakonisht përdoren para zgjedhjeve. Çdo aktivitet para zgjedhjeve është aktivitet parazgjedhor, thjeshtë fushatë. Mandatet e komunave zgjasin 4 vite dhe kur shohim që mandatet kalojnë shumë zbehtë, ndërsa para zgjedhjeve asfaltohen e shënohen, pastrohen e lahen rrugët, përurohet ujësjellësi, riparohen pjesërisht shkollat, etj. Reagimet e qytetarëve ndaj këtyre dukurive japin sinjal se vetëdija qytetare është ngritur dhe bien në sy, veçanërisht kritikat ndaj këtyre marifeteve të politikanëve. Duhet punuar çdo ditë të mandatit, jo vetëm muajin e fundit”, thotë Xhaferi./Telegrafi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme