Arben Taravari do të vazhdojë të mbajë postin e të parit në Shëndetësi, edhe pse garon si kandidat për kryetar të Komunës së Gostivarit nga radhët e Aleancës për shqiptarët (ASH).
Fushata e partive për lokalet ka filluar prej sot, ndërsa sipas Taravarit është gjynah të prishet kabineti i tij me këtë format, pasi është njëri prej më të besueshmëve në ministri, ndërsa këtë sipas tij e dëshmojnë edhe sondazhet.
“Pas gjitha konsultimeve e lamë që pasi të mbarojnë zgjedhjet unë të jap dorëheqje. Përndryshe, nuk ka ndonjë kundërshtim ligjor, kabineti vazhdon të punojë, unë nuk keqpërdorë asnjë beneficion prej ministrisë, praktikisht ajo mund të verifikohet”, ka thënë në një deklaratë për Medial.mk, Taravari.
“Mua më duhej që të konsultohem me ekspertë juridik në ministri dhe jashtë saj, përveç asaj duhej të konsultohem edhe me kryetarin e partisë dhe kryesinë e saj, gjithashtu edhe me kryeministrin pasi që kryetari më ka deleguar, kurse kryeministri më ka përzgjedhur në ekipin e tij. Kabineti është gjynah të prishet pasi që është njëri prej më të besueshmëve në ministri, të cilët i dëshmojnë edhe sondazhet, por edhe popullata që e shpreh besimin se mund të ndryshohet diçka në shëndetësi dhe mendoj se ky ekip i cili e realizon programin e qeverisë duhet të vazhdojë të funksionojë”, ka shtuar Taravari.
“Me dorëheqjen time duhet edhe kabineti të jap dorëheqje, kurse nuk kemi hapësirë për të zgjedhur ministër të ri, unë mendoj se është shumë më mirë zëvendësi im, sekretari shtetëror dhe kabineti im të funksionojnë në këtë periudhë pasi që kemi nisur projekte të cilat janë serioze dhe prej të cilave qytetarët presin shumë. Unë mendoj se ministria duhet të ketë kontinuitet dhe të realizohet ajo që popullata veç ka nisur të besojë se në shëndetësi mund të ndodhin ndryshime”, ka thënë Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë dhe kandidat i ASH-së për Gostivarin.