Ka mundësi që sulmuesi i Las Vegasit, Stephen Paddock, të jetë radikalizuar pa dijeninë e autoriteteve amerikane, ka thënë sot sherifi i policisë, Joseph Lombardo.
Autoritetet amerikanë janë duke u përpjekur ta gjejnë motivin që shtyri 64-vjeçarin ta kryejë masakrën në koncertin muzikor në Las Vegas të dielën që lamë pas, transmeton Express.
Të paktën 58 persona u vranë dhe më shumë se 500 të tjerë u lënduan nga të shtënat që Paddock i shkrepi mbi ta nga kati i 32-t i hotelit “Mandalay Bay”, para se ta vriste veten, shkruan Independent.
Lombardo ka thënë se mënyra se si Paddock e kishte planifikuar shumë hollësisht masakrën është problematike pasi u zbulua se ai kishte vendosur kamera brenda dhomës dhe jashtë derës së hotelit ku po qëndronte, siç thuhet për të mos e lejuar askënd të futet brenda.
Lombardo ka theksuar se ka besim se autoritetet do ta gjejnë cili ishte motivi i Paddock, duke shtuar se hetimi po vazhdon me kujdes në rast të ngritjes të ndonjë aktakuze kriminale ndaj ndonjë personi tjetër.
“Ky hetim nuk mbaron me vdekjen e Paddock. A ishte radikalizuar ky person ka dijeninë tonë? Duam ta identifikojmë këtë burim”, ka thënë ai.
Paddock u gjet i vdekur në dhomën e hotelit nga ku kreu sulmin. Autoritetet amerikane thonë se nuk ka dëshmi se ai ka pasur lidhje me organizatat terroriste, përkundër insistimit të ISIS-it se ai ishte ushtar i grupit terrorist, i konvertuar në islam pak muaj para sulmit. /Express/