Pas zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni, me siguri pika më e fuqishme në të cilën është ndërtuar shumica e re politike është procesi i integrimeve, i cili duhet të jetë shtyllë e Qeverisë së re dhe nuk guxon sërish të lejohet regres në lidhje të afrimit ndaj BE-së dhe NATO-s. Të gjitha masat e ndërmarra nga Qeveria janë pikërisht në drejtim për ta filluar procesin, i cili në disa hapa duhet të na çojë deri në fillim të negociatave inkuadruese me BE-në, thotë zëvendëskryeministri i obliguar për eurointegrime Bujar Osmani, në një intervistë për ueb portalin Ballkani Perëndimor Evropian.
Osmani thekson se në 100 ditët e para fokusi i Qeverisë ishte në dy çështje – zgjidhje e çështjeve të hapura politike me fqinjët dhe zbatimi i prioriteteve të ardhshme reformuese si pjesë e Planit 3-6-9.
“Jo vetëm që arritëm të bëjmë përparim evident në këtë fushë, por gradualisht e kthyem eurooptimizmin në vend dhe kjo është diçka që paraqet fuqi kryesore lëvizëse të proceseve në shoqëri”, tha Osmani.
Ai theksoi se në planin e brendshëm, Qeveria me konsensus miratoi Projekt-ligj për përdorimin e gjuhëve, me çka filloi procesi i mbylljes së kësaj çështje shumë të rëndësishme të brendshme politike e cila e krijon bazën për marrëdhënie stabile ndëretnike.
“Në plan të jashtëm arritëm Marrëveshje historike për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, me çka mbyllëm edhe një çështje të rëndësishme me fqinjët tanë. Në periudhën që vijon qëllimi ynë është mbyllja e të gjitha çështjeve të hapura dhe largimi i të gjitha vërejtjeve në lidhje me përparimin në strukturat euroatlantike me çka kontesti me Greqinë për përdorimin e emrit të vendit tonë të mbetet vetëm çështje e hapur në rrugën tonë eurointegruese. Kjo do të krijojë kushte për fokusim të plotë të kësaj çështje nga ana e elitave politike në Maqedoni, te përfaqësuesit politik grekë dhe gjithashtu edhe te miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë për ta mbyllur këtë çështje”, tha zëvendëskryeministri Osmani.
Paralelisht me këto procese, shton Osmani, autoritetet e Maqedonisë filluan qasje të re pozitive përmes hapjes së kanaleve më të drejtpërdrejta me komunikim me fqinjin jugor.
“Vizita e ministrit tonë të Punëve të Jashtme Dimitrov në Athinë ishte e rëndësishme, siç ishte edhe vizita e ministrit grek të Punëve të Jashtme Koxijas në Maqedoni. Është krijuar vullnet politik te dy vendet për mbylljen e kësaj çështje, por proceset zhvillohen me kujdes duke e pasur në mendje se në periudhën e kaluar dhe për shkak të pikëve ditore politike, shumë emocione politike janë lidhur për këtë çështje. Dakordohemi të fillojmë me të a.q. Masa për ndërtimin e besimit me çka duhet të arrihet komunikim i mirë dhe afrim midis dy vendeve, shoqëri dhe njerëz të cilët jetojnë atje. Besoj se jemi në rrugën e duhur dhe se në periudhën e ardhshme do të arrijmë përparim në lidhje me marrëdhëniet e mira fqinjësore me Greqinë, që do të rezultojë edhe me progres në integrimet euroatlantike”, konkludon Osmani.