Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fushatës zgjedhore sonte në Deçan ka folur edhe një herë për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Ai nga vendlindja e tij ka thënë se nuk ka marrëveshje nëse nuk pajtohen dy palët.
“Derisa nuk e ka miratua parlamenti ynë, nuk ka marrëveshje dhe kjo marrëveshje për demarkacionin nuk vlen”, ka thënë ai, raporton lajmi.net.
Sipas tij, kur marrëveshja ratifikohet nga parlamentet e të dyjave vendeve atëherë mund të quhet e tillë.
“Ditën e parë që e kom marrë postin e kryeministrit e kam shkarku komisionin paraprak. Komisioni i ri do të gjejë fakte që është gabu më herët dhe se kufiri është në Çakorr dhe në Kullë”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, pas gjetjes së këtyre fakteve, Kosova do të ulet së pari me miqtë e saj dhe atyre do t’ju prezantohen këto të gjetura e më pas edhe me fqinjët. “Nëse duan fqinjët”, ka shtuar shefi i ekzekutivit.
“Faktet janë në anën tonë dhe kështu ka me u zgjidh ky problem”, ka përfunduar ai.