Policët që dyshohen se montuan një tentim-vrasje vazhdojnë punën në Polici

Policët Osman Gashi dhe Bekim Xhoni vazhdojnë punën e tyre të njëjtë në Policinë e Kosovës. Kjo përkundër se në një kallëzim penal të ngritur nga IPK’ja para më shumë se një viti, të dy këta policë dyshohen se janë të përfshirë në montimin dhe detyrimin e një personi të pafajshëm që ta pranojë krimin të cilin, sipas të njëjtit dokument, nuk e ka kryer.

 

Prokuroria e Shtetit as një vit e dy muaj pasi Inspektorati Policor i Kosovës ngriti kallëzim penal ndaj dy pjesëtarëve të Policisë dhe tre personave të tjerë të dyshuar për montimin dhe detyrimin e pranimit të fajësisë në një proces gjyqësore për tentim vrasje, ende nuk ka konkretizuar hetimet me aktakuzë, apo në rastin tjetër, me mbyllje të hetimeve.

IPK’ja më 24 gusht të vitit 2016 kishte nxjerrë një kallëzim penal ndaj 5 të dyshuarve për rastin e “vrasjes në tentativë” të një punëtori të sigurimit në një klub nate në Prishtinë, që kishte ndodhur në gusht të vitit 2011.

Në këtë kallëzim penal që Gazeta Express e ka publikuar dy javë më parë përfshihen edhe dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës, hetuesi Osman Gashi dhe polici Bekim Xhoni.

Hetuesi Gashi, dyshohet se me qëllim ka neglizhuar punën e tij, duke mos kryer shumë veprime të nevojshme hetimore për rastin e vitit 2011, për të cilin gjykata më 2012 kishte dënuar me dy vite e gjysmë prishtinasin K.G.

Ndërsa, Polici Bekim Xhoni dhe tre tjerë të dyshuar, sipas kallëzimit penal, kanë detyruar të dënuarin që të pranojë fajësinë për krimin që sipas dokumentit del se nuk e ka kryer.

Aty dyshimet tregojnë se krimi në fjalë ishte kryer nga tre të dyshuarit tjerë, Agim Aliu, Armend Spahiu dhe Selim Selimi, ndaj të cilëve po ashtu është bërë kallëzim penal nga IPK’ja në të njëjtin dokument ku përfshihen policët Gashi e Xhoni.

Megjithatë, hetuesi dhe pjesëtari tjetër i PK’së të përfshirë në këtë skandal policor vazhdojnë me rregull punën e tyre në Polici të Kosovës.

IPK’ja ka bërë të ditur se për Gazetën Express se “pas përfundimit të hetimeve penale ka iniciuar edhe hetim disiplinor pranë Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës për dy zyrtarët policorë” të dyshuar për montim dhe detyrim të rastit.

Por për dallim nga Inspektorati, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës thonë se suspendimi i këtyre zyrtarëve është kompetencë e IPK’së.

“Çështja e suspendimit dhe ndërprerja e tij ka qenë në kompetencë te IPK-së”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Express, që megjithatë më poshtë lë të kuptohet se ka pasur për një kohë masë disiplinore ndaj policëve të dyshuar.

Zyra për Informim e PK’së, po ashtu, bën të ditur se masat disiplinore ndaj policëve të përfshirë në skandalin në fjalë është pezulluar, që nënkupton se të dy pjesëtarët që dyshohen për montim dhe detyrim të një rasti ku u dënua një i pafajshëm tash për tash vazhdojnë punën e tyre në Polici.

“Drejtoria e Standardeve Profesionale e PK-së lenden disiplinore ndaj dy zyrtareve te apostrofuar e ka të pezulluar ne pritje te një vendimi nga autoritetet kompetente gjyqësore”, thotë zyra për informim i Policisë së Kosovës.

E përkundër insistimit të Gazetës Express për t’u informuar se kur ka nisur masa disiplinore dhe kur e njëjta është pezulluar ndaj hetuesit Gashi dhe policit Xhoni, zyrtarët për informim nuk kanë dhënë sqarime.

“PK-ja lidhur me këtë ju është përgjigjur, andaj referojuni te njëjtës përgjigje”, thuhet në përgjigjen tjetër të PK’së, ndonëse bëhej fjalë për 6 pyetje të tjera nga ana e Gazetës Express për të njëjtin rast.

Përderisa hetuesi i dyshuar për montim të rastit Osman Gashi vazhdon punën në hetuesi të Prishtinës, Bekim Xhoni bashkë me shefin e tij të pikës kufitare në Jarinje, pak muaj më parë janë parë në një drekë me kryeshefin e Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti.

Gazeta Express më 25 shtator të këtij viti ka publikuar fotografinë e Mehmetit i cili drekon më policin e dyshuar për detyrim të K.G. që të pranojë fajësinë për tentim vrasjen që dyshohet që s’e ka kryer.

Kryeshefi i IPK-së, Hilmi Mehmeti i ka mohuar Gazetës Express se në atë drekë të jetë biseduar për kallëzimin penal ndaj skandalit policor. /M.Gj./GazetaExpress/.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme