Shtabi Zgjedhor i LDK në konsultim me kryetarët e degëve, rikujton strukturat, elektoratin dhe gjithë qytetarët, se ka vendosur që të mos praktikojë vendosjen e posterëve në fushatën e zgjedhjeve të 22 tetorit, me qëllim që të racionalizojë shpenzimet, të mbrojë ambientin, pronat publike dhe private.
Përmes një komunikate për media LDK thotë se vendimi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, nuk ka të bëjë me vendosjen e billbordave dhe muraleve, sepse ato vendosen nga kompani profesionale dhe garantojnë heqjen e tyre pas përfundimit të fushatës zgjedhore, pa e dëmtuar pamjen e vendbanimeve dhe pa e ndotur ambientin.
“Praktikat e zgjedhjeve të kaluara kanë treguar se posterët e të gjitha partive politike, janë vendosur nëpër vende joadekuate, në prona publike dhe private dhe kanë degraduar pamjen e lagjeve dhe qyteteve”, thuhet në komunikatë.
LDK-ja thotë se e ka prioritet mbrojtjen e mjedisit, kujdesin ndaj pronës publike dhe garantimin e pronës private, prandaj ky vendim kishte pikërisht këto qëllime.
“Me qëllim të sqarimit të opinionit publik, vendosja e billbordave dhe muraleve nuk bie ndesh me vendimin e Shtabit Zgjedhor të LDK-së”, theksohet tutje në komunikatën e LDK-së. /Periskopi/