Ish-polici serb lirohet nga akuza për akte çnjerëzore

Ish-polici Milan Gavriloviq u lirua nga akuzat për kryerje aktesh çnjerëzore kundër të burgosurve joserbë që po transportoheshin midis kampeve të burgimit në zonën e Prijedorit në vitin 1992.

 

Gjykata shtetërore në Sarajevë të premten e shpalli Milan Gavriloviqin të pafajshëm për krime në komunën e Prijedorit nga maji deri në gusht 1992 për shkak të mungesës së provave.

Ai u lirua nga akuzat për poshtërim të të ndaluarve, ndërsa ruante automjetet që i transportonin ata nga kampi i burgimit Omarska në një kamp tjetër në Manjaca.

Sipas dëshmive të dëshmitarëve, të ndaluarit u transportuan në kushte çnjerëzore në temperatura të larta dhe u privuan nga uji.

Por kryetarja e trupit gjykues Mira Smajloviq tha se gjykata nuk kishte mundur të përcaktonte përtej çdo dyshimi se i pandehuri ishte një nga njerëzit përgjegjës për ruajtjen e të ndaluarve, apo shkallën e përgjegjësisë së tij për kushtet brenda autobusëve.

“Gavriloviq lirohet nga akuzat se ka qëlluar me shkelm të ndaluarin Senad Kapetanoviq, i cili ishte i uritur dhe shumë i dobët, në pjesën e kokës brenda një autobusi”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mira Smajloviq.

Sipas akuzave, Kapetanoviq pati hemorragji të madhe dhe humbi ndjenjat të nesërmen si pasojë e goditjes, shtoi Smajloviq.

Gjykata tha se dëshmia e dhënë nga Kapetanoviq nuk ishte konfirmuar nga ndonjë dëshmitar tjetër.

“Prokuroria nuk ftoi asnjë dëshmitar që kishte qenë i pranishëm në autobus me palën e dëmtuar”, tha Smajloviq.

Ajo tha se dëshmia e dhënë nga dëshmitari Vladimir Sobota, një tjetër polic serb i Bosnjës që ishte në makinë me Gavriloviqin gjatë transportimit të të paraburgosurve, ishte me rëndësi kyçe.

“Ai nuk mban mend që ndonjë të ketë dalë nga makina gjatë ecjes. Kështu që ai tha se nuk ishte i isgurt nëse i pandehuri ishte apo jo përgjegjës për ruajtjen e të gjithë karvanit,” tha Smajloviq.

Vendimi mund të apelohet.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme