Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se kryeministri Haradinaj është zbutur rreth qëndrimit të tij për Demarkacionin. “Kryeministri Haradinaj duket se i ka dhënë rrugë tjetër Demarkacionit ndryshe prej asaj çfarë kemi pritur. Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi është e padrejtë dhe e dëmshme për Kosovën”, ka thënë Selimi, transmeton zeri.info.
Sipas Selimit, duket se kryeministri tashmë do t’i japë rrugë tjetër kësaj çështjeje, edhe pse sa ishte në opozitë kishte deklaruar diçka tjetër. “Kështu thoshte edhe vetë Haradinaj sa ishte në opozitë dhe veprimet e tij presim që të jenë në përputhje me atë çfarë kishte deklaruar atëherë”, ka shtuar Selimi për gazetën “Zëri”.
Më tej ai ka folur edhe për përafrimet e qëndrimeve mes kryeministrit Haradinaj dhe zëvendësit të tij Behgjet Pacolli, i cili ditë më parë tha se nëse nuk evidentohen shkeljet do të kthehen te marrëveshja e parë.
“Nëse Haradinaj dhe Pacolli arrijnë kompromis, atëherë ne duhet ta kuptojmë se kush me kë është pajtuar, Pacolli me Haradinajn apo Haradinaj me Pacollin sepse ne i dimë divergjencat e tyre sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Selimi, transmeton zeri.info.
Në fund, ai ka thënë se nëse Qeveria do të tentojë që ta çojë përpara marrëveshjen aktuale, “Vetëvendosja” do të jetë e vendosur që ta pengojë, vetëm se tani me 32 deputetë në vend sa ishin 16. “Zbutja e diskursit të Haradinajt nuk do të duhej të shoqërohej edhe me zbutjen e qëndrimeve në dëm të Kosovës. Në të kundërtën, ne jemi aty në Kuvend, jo tashmë me 16 deputetë sikur në mandatin e kaluar, por me 32”, ka përfunduar Selimi. /Zeri.