Albin Kurti: Kur u nisa n’Vushtrri më thanë se atje nuk të lëshojnë pa çaj (Video)

Deputeti Albin Kurti ka postuar fjalimin e tij gjatë një tubimi të mbajtur në Vushtrri.

Ai përshkruan se si i kishin thënë se ‘në Vushtrri nuk e lëshojnë pa çaj”.

Postimi i plote:

Kur u nisa për Vushtrri e lashë një takim në Prishtinë në ora 7:00 (19:00). Por, m’pyetën ku po shkon? Thashë: në Vushtrri. Thanë nuk kthehesh në ora 7:00 (19:00) se nuk t’lëshojnë pa çaj ata! Kështu që, sot mu bën dy arsye që të vij: edhe që të pij çaj bashkë pas tubimit edhe të marrim pjesë në këtë tubim madhështor: për Besimin kryetar, për VETËVENDOSJE!-n fitimtare, e për numrin tonë 10, që ma t’mirë s’kena mujtë me gjetë.

Vushtrria e Kosova kanë popullsi të mirë e bujare, por kanë institucione të dobëta e udhëheqës të padrejtë. Populli duhet ta ndryshojë udhëheqjen. Me 22 tetor, qytetarët e kanë shansin, qytetarët e kanë mundësinë, qytetarët e kanë të drejtën. Ndryshimi ka subjekt, ndryshimi ka emër, ndryshimi ka numër. Subjekti është VETËVENDOSJE!, emri është Besim Muzaqi, numri është 10.

I nderuari kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri,
E nderuara nënkryetare e Kuvendit të Republikës, Aida Dërguti,
I nderuari Baca Ali,
I nderuari axha Avni, Avni Dehari,
Të nderuar asambleistë të ardhshëm nga VETËVENDOSJE! në kuvendin komunal të Vushtrrisë,
Të nderuar të pranishëm,

Vushtrria është qytet i urës e i kulturës, i luftës e i punës. Vushtrria është qytet i besimit tuaj e i Besimit tonë. Me besim në Besimin, Vushtrrisë ia sjellim arsimin, punësimin, zhvillimin e përparimin.

Po pra, me fitoren e VETËVENDOSJE!-s e të numrit 10, prodhimin duhet t’ia kthejmë ekonomisë në mënyrë që mirëqenien t’ia kthejmë shoqërisë. Me VETËVENDOSJE!-n në qeverisje e me Besimin kryetar, nuk do të ketë pushtet që privatizon, por shërbim që zhvillon. Ne do t’ia kthejmë qytetarit të Vushtrrisë punën, e komunës së Vushtrrisë nderin.

Këta të tjerët kanë premtime të rrejshme pa program, ne kemi program me zotime të vërteta që këtu në Vushtrri i garanton Lëvizja si organizatë, Besimi si kryetar e këta kandidatë si këshilltarë. Votojeni 10-shin si numër dhe kurrë s’do të jeni të humbur.

Me 15 minuta shkuarje-ardhje në vendvotim, me datën 22 tetor i fitoni katër vjet jetë me mirëqenie e dinjitet. Vendosni vetë, votoni numrin 10 në Vushtrri e në Kosovë, dje tri javë fitojmë e sot tri javë festojmë.

Besimi është punëtor i madh, është aktivist modest, është menaxher i mirë. Besimi i Vushtrrisë është besimi që e meriton Vushtrria. Besimi meriton të jetë kryetar dhe ta bëj subjektin VETËVENDOSJE! subjekt të parë. Me numrin 10 e keni edhe zgjedhjen edhe zgjidhjen e vërtetë. Besimi është farmacist profesionist i cili është i dashur me gjithë qytetarët pa dallim vendbanimi, moshe a prejardhje të tyre. Do të jetë i barabartë për të gjithë në Vushtrri, në mënyrë që komuna e Vushtrrisë t’i kthehet qytetarëve të Vushtrrisë.

Me Besimin kryetar nuk mbesin patatet në arë, nuk gjuhen patatet në Sitnicë dhe s’mbetet patate pa u shitë. 22 tetori është data e zgjedhjeve dhe dita jonë, sepse VETËVENDOSJE! është subjekti i ndryshimit, Besim Muzaqi është emri i kryetarit e 10 është numri i fitores.
Këta qeveritarët e deritanishëm nuk janë në tokë buke. Me Besimin kryetar Vushtrria bëhet tokë buke hektar për hektar.

Nëpër institucione publike të komunës e nëpër ndërmarrje publike lokale do të kemi orendi të prodhuara në Kosovë e nga Vushtrria, ushqim e pije të Kosovës e jo nga Serbia.

Ne e duam prodhuesin, ne e duam tregtarin. Ne nuk e duam oligarkun. Ne kemi plan e program për prodhuesit vendës e masa mbështetëse për tregtarët e vegjël e të mesëm. Tash kemi ca oligarkë dhe shumë konsumatorë të varfër. Ne duam të qeverisim komunën dhe vendin, Vushtrrinë dhe Kosovën kundër kolapsit tregtar të shoqërisë. Do të shquajmë mes linjave të prodhimit që e shpejtojnë daljen nga kriza ku ndodhemi dhe do të synojmë shpërndarje të barabartë: për ata që kanë më pak do të japim më shumë.

I kemi parë këto partitë tjera që e kanë kapur shtetin dy nga dy, qysh shtyheshin se cila po e merr me vete importuesin më të madh të mallrave nga Serbia që herë e bënin deputet, herë ministër e bile edhe zëvendëskryeministër. Ata janë të lidhur e të varur, i duan dhe i respektojnë importuesit nga Serbia e jo bujqit nga Vushtrria.

Me këta pushtetarë në ikje, Vushtrria është bërë komunë e shllafave pa ujë dhe e kanalizimit pa gypa. Në lumin Sitnica dikur kishte edhe peshq e sot kanë ikur edhe bretkocat. Me 22 tetor le të ikin edhe këta komunarë.

Vushtrria e ka pasur Llamkosin me mbi 500 punëtorë. Pas privatizimit, Llamkosi falimentoi disa herë, u zvogëlua edhe numri i punëtorëve, edhe pagat e punëtorëve edhe rregullsia e pagesës, derisa u mbyll krejt. Thoshin Vushtrria evropiane? Po, të nderuar pjesëmarrës, sepse më së shumti për Evropë kanë ikur prej Vushtrrisë.

Pusetat e thella nga nxjerrja ilegale e thëngjillit dhe deponitë ilegale të mbeturinave e kanë bërë mjedisin të ndotur e të rrezikshëm. Në Vushtrri ka disa çerdhe të krimit por ka veç një çerdhe për fëmijë. Me Besim Muzaqin kryetar, me fitoren e VETËVENDOSJE!-s eliminohen të gjitha çerdhet e krimit dhe shtohen çerdhet për fëmijë.

Para një shekulli, Faik Konica ka thënë: “Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira, por një bandë maskarenjsh, rrushfetçinjsh, hafijesh e dallaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh”. Me datën 22 tetor le të tregojmë se Faik Konica ka pasur të drejtë në dy prej tri gjërave që i ka përmendur në atë thënien e tij. Po: populli shqiptar ka disa veti shumë të mira. Po: një bandë maskarenjsh, rrushfetçinjsh, hafijesh dhe dallaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit. Mirëpo, jo: nuk është e pamundur t’i shkulësh. Me 22 tetor, le t’i shkulim porsi patatet nga pushteti këta dallaverxhinj në ikje, le ta mbjellim besimin në Besimin tonë, le ta mbjellim besimin në VETËVENDOSJE!, le ta votojmë Besim Muzaqin, me mendje e me zemër, le t’i japim besë këtij Besimi që na jep shpresë, le ta votojmë Besimin këtë farmacist që e ka ilaçin.

Ju falemnderit.

Urime Besim! Urime VETËVENDOSJE! Urime Vushtrri! Urime Kosovë!

E, mirupafshim në çajtore.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme