Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, është ndaluar mbrëmë nga autoritetet e Shqipërisë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, njofton Klan Kosova.
“Mund të konfirmojmë se personi me inicialet S. R. shtetas i Republikës së Kosovës, është ndaluar mbrëmë nga autoritetet e Shqipërisë në pikën kufitare dalëse të Durrësit. Këto informacione Policia e Kosovës i ka siguruar nga autoritet e Shqipërisë, me të cilët është në kontakt për procedura të mëtutjeshme lidhur me rastin”.
Lajmi u konfirmua edhe nga policia shqiptare.
Në raportin 24 orësh, bëhet e ditur se atij i janë sekuestruar një pasaportë dhe një leje qëndrimi franceze që dyshohen të jenë të falsifikuara.
“Më datë 06.10.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, për shtetasin S.R vjeç 56, banues në Gjilan, Kosovë, pasi dyshohet se në P K K Port, ju sekuestrua me cilësinë e provës materiale një pasaportë dhe një leje qëndrimi franceze, që dyshohen të jenë të falsifikuara. Nenet 189 e 186 të Kodit Penal”, thuhet në raportin e Policisë”.