Katër autoambulancat, sa i ka Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Komunën e Obiliqit, të gjitha janë donacion i qytetarëve.
Vetëm dy prej tyre janë në funksion, raporton KTV.
E, deri para dy vjetësh, kur është dhënë donacioni i fundit nga një bashkëvendës, drejtori i kësaj qendre, Haki Jashari, thotë të kenë funksionuar vetëm me një autoambulancë.
Në gjithë vendin janë 429 institucione të Kujdesit Primar Shëndetësor. Për të gjitha këto qendra, sipas anëtarit të Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra në përdorim janë rreth 92 autoambulanca, një pjesë të blera nga komunat, në bashkëpunim me Ministrinë, e të tjerat janë donacion.
Derisa, për të gjithë qytetarët e vendit janë në dispozicion vetëm 92 autoambulanca, Qeveria me të gjitha ministritë dhe doganat, i kanë në dispozicion 984 vetura zyrtare.
Ndërsa, nuk dihet saktë se sa vetura zyrtare në tërësi ka Kosova në të gjitha nivelet.