Jetojmë në një kohë në të cilën ngjarjet ndërrohen me aq shpejtësi, sa njeriu nuk është në gjendje t’i regjistrojë të gjitha e lëre më të mendojë për to.
Kështu nis një koment e përditshmja e Beogradit “Danas”, duke u marrë me komentimin e krahasimeve serbe midis rastit të Katalonjës dhe të Kosovës, transmeton Koha.net.
“Sa më shumë që i afrohemi jetës së vjeshtës së vonë, aq më shumë më duket se ne në Serbi jemi njerëz që nuk dimë të mendojmë. Kuptohet, nuk e kam fjalën për individë. Në Serbi ka shumë njerëz mendimtarë. Fjala është për shumicën e cila tash më shumë se një çerek shekulli pa e lodhur kokën, të preokupuar me serbizimin, kapërdin gënjeshtrën e madhe të nacionalistëve dhe çdo ndërrim tezash të tyre. Ta marrim për shembull rastin e Katalonjës. Nacionalistët në pushtet me politikat e tyre të luftës, me përpjekjet e tyre që të dëbojnë shqiptarët dhe në Kosovë të vendosin serbët nga Kroacia, e futën Serbinë në luftë me tërë botën. Qemë të bombarduar dhe të detyruar që në Kumanovë të nënshkruajmë kapitullimin, përkatësisht Marrëveshjen të cilën Millosheviqi e shpalli kat të fitores mbi Paktin NATO. Dhe sot si mund të krahasohet Kosova e humbur në atë mënyrë me referendumin mbi pavarësinë e Katalonjës. Këtë akt kundërklushtetues në Spanjë, Bashkimi Europian nuk e miraton dhe për këtë arsye pushtetmbajtësit tanë e akuzojnë për politikë standardesh të dyfishta, për shkelje të sundimit të së drejtës, bla, bla…”.
Artikulli vazhdon tutje duke thënë se referendumi i provincës më të pasur të shtetit spanjoll juridikisht të rregulluar, s’është gjë tjetër pos dëshirë e nacionalistëve të atjeshëm që të kenë shtetin e vet dhe të sundojnë pa kufizime.
“Nuk u bën atyre se si do të manifestohet ai separatizëm në standardin e njerëzve të zakonshëm, të cilët sipas shumë mendimeve përbën shumicën heshtake. Duke harruar qëllimisht luftën që e kanë bërë dhe e kanë humbur në Kosovë, nacionalistët tanë sikur gjoja mbështesin tërësinë e Spanjës sepse nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ulërijnë si bisha të plagosura në Bashkimin Europian duke akuzuar për dyfytyrësi dhe duke kërkuar që Unioni t’u japë përgjigje nëse ekzistojnë dy drejtësi ndërkombëtare: njëra për vendet anëtare, e tjetra për ato joanëtare. S’ka më dyfytyrësi se ajo e nacionalizmit të tyre. E kemi provuar këtë të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor”.
Millosheviqi dhe Tugjmani, liderët nacionalistë në Serbi e Kroaci, e kanë vrarë Jugosllavinë për të sunduar në shtetet e tyre dhe jo që njerëzve që jetojnë në to t’ua bëjnë jetën më të mirë, thuhet në artikull.
“E vranë Jugosllavinë, ashtu siç po e vrasin sot Spanjën. Sepse në kohën e vrasjes, të gjithë në Jugosllavi kanë pasur standard që tani është i pa mendueshëm. Pagat mesatare kanë qenë afër nivelit europian. Vetëm ata që nuk dinë të mendojnë mund të besojnë se katalonjasit do të jetojnë më mirë nëse shteti u quhet Katalonjë e jo Spanjë. Dhe nacionalistët tanë dyfytyrësh besojnë se përjetësisht do sundojnë në Serbi gjoja duke e mbrojtur Kosovën”.
Ruajtja pushtetit në Serbi është njëri nga motivet pse ata e mbrojnë Kosovën të humbur kaherë. Motivi tjetër shumë më i rëndësishëm quhet plaçkitje e qytetarëve nën mbrojtjen e shtetit, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim.
© KOHA.