Turqia po tenton të forcojë ndikimin e saj në Ballkan dhe gjatë vizitës së tij në Beograd, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan premtoi rritje të investimeve dhe tregtisë me Serbinë.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun serb Aleksandër Vuçiç, numri një i Ankarasë tha se shkëmbimi tregtar prej 850 milionë dollarësh mes dy vendeve, nuk ishte i mjaftueshëm dhe se ata duhet të synojnë 5 fishin e kësaj vlere. Me një ndikim të konsoliduar në shtetet me shumicë myslimane si Bosnja, Shqipëria dhe Kosova, Erdogan shpreson që me vizitën dy ditore në Serbinë kryesisht ortodokse, të zgjerojë rolin në rajonin e Ballkanit. Beogradi nga ana tjetër, synon t’i bashkohet BE-së dhe ka nevojë për investime për të nxitur rritjen ekonomike.
“Bashkë me Serbinë dhe të gjithë Ballkanin, duam të bëjmë hapa drejt zgjidhjes së të gjitha problemeve. Ne nuk duam përçarje në Ballkan, apo që dikush t’i shohë këto vende si zonë influence”, tha Erdogan. Autoritetet serbe dhe delegacioni turk, ku perfshiheshin 8 ministra dhe 185 liderë biznesi, nënshkruan disa kontata e ujdi investimesh dhe memorandume mirëkuptimi në Beograd. Marrëveshjet i hapin rrugën ndërtimit të një autostrade mes Beogradit dhe Sarajevës dhe përfshijnë një ujdi për bashkëpunim në sektorin e energjisë.
Gjithashtu udhëheqësi turk parashtroi mundësinë për të furnizuar me gaz Serbinë, përmes gazsjellesit Turkish Stream, një projekt i përbashkët mes Ankarasë dhe Moskës. Ndërkaq mediat serbe pasqyruan edhe një bisedë joformale mes dy presidentëve dhe kryediplomatit Ivica Daçiç, para pallatit presidencial, kur Vuçiç i tha me humor homologut turk se e fliste perfekt serbishten e shqipen.