Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua me kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli, në vijim të vizitës shtetërore dyditore në Kosovë.
Presidenti Meta e përgëzoi Veselin për rizgjedhjen në postin e kryeparlamentarit të Kosovës dhe shprehu besimin se projektet e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve do të vijojnë sipas frymës së shkëlqyer të marrëdhënieve vëllazërore ndërshtetërore.
Duke iu referuar sfidave kryesore me të cilat përballet Kosova dhe dhe shoqëria e saj, si liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian, demarkacioni me Malin e Zi dhe rifillimi i dialogut me Serbinë, Presidenti Meta shprehu besimin se Kuvendi i ri Kosovës dhe forcat politike parlamentare do të përqendrohen në mënyrë gjithëpërfshirëse e konsensuale për gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme dhe mbështetjen e iniciativave të ndryshme në funksion të avancimit të agjendës evropiane dhe euroatlantike të vendit.
Presidenti Meta e siguroi kryeparlamentarin Veseli për vazhdimin e mbështetjes së fuqishme e të gjithanshme të Shqipërisë ndaj agjendës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimit të saj të plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për agjendën e përbashkët të dy qeverive dhe përgatitjen për takimin e radhës, duke shprehur besimin se ky takim do të konkretizohet me projekte zhvillimore infrastrukturore, por edhe të veprimit të përbashkët diplomatik.