Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Meta që Shqipëria t’ua japë shtetësinë kosovarëve meqë Kosovës nuk po i mundësohet për të lëvizur lirshëm, shkruan gazeta Zeri.
“Kam kërkuar nga presidenti Meta që kosovarëve, sidomos studentëve dhe biznesmenëve, t’u mundësohet që të kenë nënshtetësi të Shqipërisë në mënyrë që të lëvizin lirshëm”, ka thënë Thaçi.
Mirëpo presidenti Meta nuk ka qenë i mendimit me Thaçin. Përkundrazi, ai ka konsideruar se një opsion i tillë nuk ofron zgjidhje. Ndërkaq, duke komentuar deklaratat në fjalë kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk duhen mbetur të pashpresë për liberalizimin e vizave.
E pavarësisht deklaratave të presidentit Thaçi, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se Kosova duhet të punojë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
“Qeveria e re duhet ta gjejë një mënyrë për t’i përmbushur pritjet e qytetarëve të vet dhe liberalizimi i vizave është në krye të këtyre pritjeve. Prandaj, është esenciale që Kosova të tregojë rezultate në përmbushjen e kushteve të mbetura, duke ecur përpara me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe duke treguar përparim në regjistrin e të dhënave në rastet e luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Kjo e fundit duhet të jetë një proces i vazhdueshëm”, thuhet në përgjigjen e BE-së në Prishtinë dhënë gazetës “Zëri”.