Ndotja e ajrit në Tetovë ditëve të fundit ka kaluar kufirin e lejuar, duke e bërë këtë rajon të parin në mesin e qyteteve më të ndotura në botë.
“Pjesë bukur të madhe në ndotjen e ajrit në Tetovë përbëjnë, përveç gazrave të tjerë, edhe mbeturinat, sidomos pika e ngarkim shkarkimit që ndodhet në hyrje të Tetovës, me theks të veçantë, gazi që lëshohet nga djegia e tyre e sidomos nga djegia e gomave”.
Situata më e rënduar është tek pika e ngarkim- shkarkimit. Banorët të cilët jetojnë për rreth thotë se nga tymi i djegies së mbeturinave dhe era e që kundërmon nuk mund as ti hapin dritaret e shtëpive të tyre. Ata ankohen se fëmijët e tyre gjatë gjithë kohës kanë probleme me frymëmarrjen.
“Po po ka erë të keqe shumë, në mbrëmje as fëmijët s`mund të dalin apo ne të dalim jashtë. Paramendoni fëmijët i kemi të gjithë të sëmurë me grip me lloj- lloj sëmundjesh”.
Ekspertët alarmojnë se gazi që lëshohet nga djegia e gomave është i rrezikshëm, dhe i njëjti është kancerogjen.
“Gazrat që lëshohen nga lëndët djegëse fosile janë kryesisht gazra ndotës sikurse mono oksidi i karbonit si rezultat i djegies jot ë plotë të mbeturinave, gjegjësisht gomave, ose lëndës djegëse, pastaj janë dioksidi i karbonit, i sulfurit, oksidet e azotit dhe grimcat e ngurrëta që lirohen. Kryesisht këto janë grimca kancerogjene, më mirë mjekët e elaborojnë, ndikojnë në procesin e frymëmarrjes, bllokimin e mushkërive por kryesisht në aspektin e frymëmarrjes.
Po sigurisht që është gazi kancerogjen dhe ekzistojnë dëshmi të shumta për rastet e këtilla”, u shpreh Hasan Idrizi, ambientalist.
Komuna e Tetovës ka njoftuar se me qëllim të parandalimit të djegies së mbeturinave që kryesisht ndodhin nga mbledhësit e plastikave, ka përforcuar inspektimin e pikës së grumbullimit të mbeturinave.